Për Qeverinë, LDK e AAK mund të mos llogarisin në votën e deputetit Etem Arifi

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të mos llogarisin në votën e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim.

Kjo pasi që sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit deputeti Etem Arifi e ka humbur mandatin e deputetit pas plotfuqishmërisë së vendimit mbi dënimin e tij.

Kushtetuta e Kosovës në nenin 70 ka paraparë se një nga mënyrat e humbjes së mandatit të deputetit është dënimi i plotfuqishëm me një ose më shumë vite burgim.

Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione.

Arifi së bashku me Bajram Gashin, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, u dënuan pasi Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë i gjetën fajtorë për përvetësimin e 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës Arifi dhe Gashi nuk i kanë përdorur subvencionet e Ministrisë për atë qëllim që u janë ndarë por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Etem Arifi u dënua pasi që si deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me deputetin Arifi mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Deputeti Etem Arifi kishte votuar rrëzimin e Qeverisë Kurti edhe pse sipas Kushtetutës, Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit si dhe Rregullores së Kuvendit e kishte humbur mandatin e deputetit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, mirëpo as ajo nuk ka qenë e qasshme.