Për përvjetor, Krasniqi viziton familjet e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka nisur ditën e 17 shkurtit, duke vizituar familjet e ish krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Krasniqi thotë se se kontributi i Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhepit nuk u kufizua në një etapë të vetme historike, duke shtuar se misioni i tyre për t’i dalë zot Kosovës ishte dhe mbetet i përhershëm.

“Kontributi i Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhepit nuk u kufizua në një etapë të vetme historike. Misioni i tyre për t’i dalë zot Kosovës ishte dhe mbetet i përhershëm. Ndonëse sot çlirimtarët janë larg familjeve të tyre dhe larg nesh në misionin e tyre për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së, me mendje dhe me zemër ata i kemi përherë pranë”- shkruan Krasniqi.

Ai ka shprehur mirënjohje dhe respekt për punën dhe angazhimin e ish krerërve të UÇK-së për Kosovën.

“Jam i lumtur që një pjesë të rrugëtimit tim politik, pata fatin ta zhvilloj përkrah këtyre personaliteteve. Mirënjohje e respekt maksimal për punën e palodhur dhe angazhimin e pandalur të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së për Kosovën. Gëzuar Dita e Pavarësisë!”- është shprehur kryetari i PDK-së.

Sot janë bërë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Në anën tjetër, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 10 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.