Për pak muaj ATK zbuloi qindra punëtorë pa kontrata pune

Rreth 600 punëtorë janë hasur duke punuar pa kontrata pune dhe të padeklaruar në ATK në dy muajt e fundit, gjatë të cilëve u zhvilluan mbi 1 mijë kontrolle në të gjithë vendin.

Kështu bëhet e ditur nga të dhënat e fundit të ATK-së, të cilat i shpalosi në emisionin “Kallxo Përnime”, zv. drejtori i përgjithshëm të Operacioneve, Nijazi Asllani.

Asllani  gjatë kësaj kohe kishte udhëhequr aksionet për verifikimin e punëtoreve në të gjithë vendin, të cilat sipas tij kanë konstuar mbi 600 punëtorë të padeklaruar.

“Në këto aktivitete janë angazhu inspektorë të vizitave nga secila drejtori dhe gjatë kësaj periudhe janë vizitu 1,121 biznese dhe nga këto kemi identifiku 600 punëtorë të padeklaruar ndaj të cilëve është përcjellë edhe në ZGjONA për ndëshkime”, tha Asllani.

Sipas tij mosdeklarimi i punëtorëve nuk ka arsyetim.

“Mosdeklarimi i punëtorëve nuk ka arsyeshmëri, pasi normat tatimore janë të ulëta dhe është e paarsyeshme që një biznes të mos bëjë deklarimin e punëtorëve, me çka po e dëmtojnë shumë punëtorin dhe po krijojnë efekt negativ në treg”, tha zëvendësdrejtori i Operacioneve.

Aksionet intensive për formalizmin e punëtorëve nisën gjatë vitit 2021. Cak i këtyre aksioneve të Administratës Tatimore të Kosovës ishin qindra biznese të cilat sistemi i brendshëm i këtij institucioni i kishte vendosur në pikën e kuqe për shkak se dyshohej se kishin të angazhuar në punë disa punëtorë të padeklaruar në ATK dhe të papajisur me kontrata të punës.

Pamjet e tyre u shfaqën në emisionin “Kallxo Përnime”.

www.kallxo.com