Për një muaj, nga vendet e nismës "Ballkani i Hapur" Kosova bleu mallra në vlerë mbi 79.4 milionë euro

Në muajin që shkoi, Kosova regjistroi një deficit tregtar mbi 361 milionë euro apo rreth 39 për qind më shumë se muajin nëntor i vitit 2020.

Kosova shiti më shumë metale bazë dhe prodhime të tyre për të blerë produkte minerale, pajisje mekanike dhe elektrike.

Ndryshe, vetëm në vendet që iniciuan nismën “Ballkani i Hapur” (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut), Kosova shiti mbi 21.8 milionë euro mallra ndërsa bleu në vlerë mbi 79.4 milionë euro.

Të dhënat për tregtinë e jashtme të publikuara nga Agjencia e Statisikave të Kosovës (ASK) bëjnë të ditur për një deficit tregtar më të lartë për 38.9 për qind në muajin nëntor 2021 në raport me muajin nëntor të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 361.1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 259.9 milionë euro.

Në muajin nëntor, eksporti arriti të mbulojë importin me 16.4 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2021 kishte vlerën 70.6 milionë euro, ndërsa importi 431.8 milionë euro, që është një rritje prej 54.4 për qind për eksport dhe 41.2 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Eksportin e Kosovës e përbëjnë kryesisht metalet bazë dhe artikujt e tyre

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit e përbëjnë: 26.6% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 23.9% artikujt e ndryshëm të prodhuar; 12.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.9% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.2% produktet minerale; 3.9% produktet bimore; 3.0% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 14.1 produktet minerale, 13.7 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 13.5 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.5 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani,  7.7 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 7.7 për qind mjetet e transportit,  6.1 për qind produktet e industrisë kimike, etj.

19 me 190 milionë euro, shkëmbimi i mallrave Kosovë -BE

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 19.3 milionë euro, ose rreth 27.3 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.1 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania  9.8 për qind, Italia 3.7 për qind, Bullgaria 2.5 për qind, etj.

Kosova importoi më shumë mallra nga Gjermania e Italia

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 190 milionë euro, ose 44.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 39.0%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.7%), Italia (8.0%), Greqia (4.2%), Sllovenia (4.1%), etj.”, thuhet në komunikatë.

Mbi 85  milionë euro import mallrash nga vendet e CEFTA-s

Në muajin nëntor të sivjetmë, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 24.5 milionë euro, ose 34.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.4 për qind.

“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (13.0%), Maqedonia e Veriut (12.0%), Serbia (6.0%), dhe Mali i Zi (2.9%).”, thotë komunikata.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin nëntor 2021, arritën në 85.2 milionë euro, ose 19.7 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 32.8 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria 6.7 për qind, Serbia 6.6 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 5.1 për qind.

Lidhur me shkëmbimin tregtar në mes të Kosovës dhe vendeve të CEFTA-s, raporti statistikor për muajin nëntor, në Shqipëri Kosova eksportoi mbi 9.1 milionë euro ndërsa importoi mbi 28.9 milionë euro

Nga Maqedonia e Veriut, Kosova importoi mbi 22 milionë euro ndërsa eksportoi mbi 8.4 milionë euro.

Me Serbinë, shkëmbimi i mallrave në muajin nëntor eksporti kapi vlerën e rreth 4.3 milionë euro ndërsa importi rreth 28.5 milionë euro.

Turqia dhe Kina eksportueset më të mëdhenj të mallrave për Kosovë

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 26.7 milionë euro, ose 37.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: ShBA për qind 20.2 për qind dhe Zvicra 7.5 për qind.

Importet nga vendet e tjera të botës arrijnë mbi 156 milionë euro.

“Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 156.6 milionë euro, ose 36.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (9.3%).”, njofton ASK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e statistikave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2021.