Për ngritje efikasiteti, dikasteri i mbrojtjes pritet të furnizohet me kamionë ushtarakë

Me qëllim të ngritjes së operacioneve dhe efikasitetit në detyrë, Ministria e Mbrojtjes, e ministrit Armend Mehaj, ka iniciuar procedurat e prokurimi për t’u furnizuar me kamionë ushtarakë dhe pajisje tjera. Për t’i realizuar këto blerje, ky dikaster qeveritar i mbrojtjes ka parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë mbi 4.1 milionë euro.

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, ka iniciuar aktivitetin prokurimit për t’u furnizuar me kamionë ushtarak për nevojat e saj.

Për këtë qëllim, ky dikaster qeveritar i mbrojtjes përmes platformës elektronike „e-prokurimi“  ka hapur thirrjen për kontratë.

Përmes këtij tenderi, Ministria e Mbrojtjes do të blejë kamionë ushtarak e transportues të tjerë.

Në përshkrimin e shkurtër të lëndës së kontratës, për këtë tender, Ministria tregoi më shumë se për çfarë furnizimi bëhet fjalë.

“Furnizim me kamion të ndryshme ushtarak, gjysmë – rimorkio dhe pirunier fushorë, e ndarë në shtatë pjesë. Pjesa 1 furnizim me kamion ushtarak 4×4, pjesa 2 furnizim me kamion transportues ushtarak 6×6, pjesa 3 furnizim me kamion ushtarak 8×8, pjesa 4 furnizim me kamion ushtarak 4×4 për autoshkollë dhe kamion 4×4 transportues me ngarkese të mbyllur, pjesa 5 furnizim me gjysmë rimorkio, pjesa 6 furnizim me pirunier fushor, furnizim me kamion të ndryshme ushtarakë, gjysmë- rimorkio dhe pirunier fushor, e ndarë në gjashtë pjesë, duhet të behet sipas specifikimit teknik të kërkuar”, thuhet në njoftim.

Për të realizuar këtë furnizim, Ministria e Mbrojtjes ka parashikuar të nënshkruaj kontratë deri në 4 milionë e 110 mijë euro.

Për këtë tender është përdorur procedura e hapur e prokurimit me kriter të dhënies së kontratës, çmimi më i ulët.

Data 14 e muajit maj, është afati për pranimin e ofertave të operatorëve ekonomik.