Për nëntë muaj, mblidhen gjysmë miliardë euro nga tatimet dhe pensionet

Për nëntëmujorin e sivjetëm, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka arritur t`i mbledh mbi gjysmë miliardë euro, me një rritje prej mbi 35 milionë euro më shumë se një vit më parë.

Këto të hyra u mblodhën nga tatimet dhe kontributet pensionale.

ATK ka bërë të ditur se për nëntë muaj janar-shtator janë mbledhur gjithsej 505.2 milionë euro

“Administrata Tatimore e Kosovës ka vazhduar ta rris nivelin e performancës së të hyrave edhe për periudhën Janar- Shtator 2019, si rezultat i intensifikimit të aktiviteteve në teren, konkretisht trajtimin e borxheve dhe luftimin e ekonomisë jo-formale. Për periudhën e lartcekur, ATK ka arritur të mbledh 35.5 milionë euro të hyra më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ndërsa, të hyra e përgjithshme të mbledhura janë në vlerë 372.3 milionë euro. Përderisa kontributet pensionale i keni në vlerë 132.9 milionë euro, që në total kemi mbledhur 505.2 milionë euro tatime dhe kontribute”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, projeksioni i ATK-së për këtë vit është 516 milionë euro apo 16 përqind më shumë së plani i vitit të kaluar, mirëpo synimet e ATK-së për këtë vit do të jenë shumë të qarta dhe do të jemi brenda kornizave të Strategjisë së Përmbushjes dhe Planit Strategjik, do të punojmë në luftimin dhe parandalimin e ekonomisë joformale, meqë me uljen e informalitetit do të kemi rritje të të hyrave dhe njëkohësisht, krijim të barazisë në treg.

Tutje ATK thotë se veç kësaj, rëndësi të madhe ka rritja e komunikimit me tatimpaguesit, pasi që vetëm në këtë mënyrë ata do t’i kuptojnë obligimet të cilat i kanë ndaj administratës tatimore. Me një qasje të ngjashëm si kjo ne do të mund të kemi këtë paralelisht me konsolidimin e kapaciteteve, si dhe kompletimin e infrastrukturës ligjore.