Xhafer Gashi, Jeta në Komunë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për ndërtimin e sheshit “Adem Preniqi”, Obiliqi pagoi avanc në kundërshtim me Ligjin për buxhet

Për dy projektet, njëra për ndërtimin e sheshit  “Adem Preniqi” dhe tjetra për kogjenerimin për ngrohjen e qytetit, Komuna e Obiliqit pagoi avance në kundërshtim me Ligjin për buxhet. Kjo kishte ndodhur me justifikimin që Komuna të ketë performancë të mirë buxhetore dhe mos t’u teprojnë mjete.

Auditori i Përgjithshëm gjeti se Komuna pagoi avanc mbi 148 mijë euro për kontratën për ndërtimin e sheshit “Adem Preniqi” ndonëse do të duhej të ishte rreth 99 mijë euro.

“Te kontrata “Ndërtimi i sheshit Adem Preniqi” me vlerë prej 989,026€ ishte bërë pagesa në avancë në muajin nëntor 15% e vlerës së kontratës, apo 148,353€, ndërsa ishte dashur të bëhet 10% e vlerës së kontratës apo 98,902€. “, thuhet në gjetjet e Auditorit.

Gjetja tjetër që ka të bëjë gjithashtu me pagesën e avancit lidhet me kontratën “Kogjenerimi për ngrohjen e qytetit ne Obiliq” me vlerë të kontratës 917,917 euro ku pagesa e avancit ishte bërë në muajin dhjetor 15 për qind e vlerës së kontratës apo vlera prej 137,687€, ndërsa ishte dashur të bëhet 5 për qind e vlerës së kontratës apo 45,895€.

Sipas Auditorit, shkaku i ndodhjes së kësaj situate ishte realizimi i pagesave në mënyrë që Komuna të ketë një performancë më të mirë te realizimi i buxhetit dhe mjetet mos të shkojnë në suficit.

“Kryetari duhet të siguroj se pagesat e paradhënieve të bëhen në pajtim me Ligjin e Buxhetit, në mënyrë që mos të ketë pagesa përtej limiteve të lejuara sipas kërkesave ligjore”, thuhet në rekomandim.

Auditori sqaron se neni 13 i Ligjit nr. 07/L -001 për buxhetin e vitit 2020 thekson se organizatat buxhetore mund të paguajnë paradhënie kontraktuesve për projektet kapitale dhe për mallra dhe shërbime deri në 15 për qind të vlerës së kontratës. Pagesa e tillë e paradhënies mund të bëhet vetëm në bazë të kontratës së lidhur në mënyrë ligjore, me vlerë më të lartë se dhjetë mijë 10,000 euro  e cila është arritur në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik.

Tutje thotë se sipas këtij neni, në muajin nëntor të vitit 2020 pagesa e paradhënies është e kufizuar deri në 10 për qind të vlerës së kontratës dhe në muajin dhjetor të vitit 2020 deri në 5 për qind të vlerës së kontratës.

Përmes letër-konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kryetari  i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, konfirmoi se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Komunës  së Obiliqit.

Rreth dy muaj më parë, saktësisht më 6 maj 2021, kryetari Xhafer Gashi ishte i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” përballë Jeta Xharrës.  Kryetari Gashi, ka folur lidhur me projektet që janë kryer dhe ato që janë në proces gjatë këtij mandati.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” foli për ndërtimin e dy shesheve dhe krijimin e një ndërmarrjeje që do mirëmbajë ambientin dhe infrastrukturën e kësaj komune.

“Janë dy projekte për sheshe që janë duke u realizuar, sheshi “Dëshmorët e Kombit’ përfundon në fund të muajit, në këtë rast investitor ka qenë Ministria e Infrastrukturës dhe ne kemi zhvilluar punime varësisht nga mjetet që na janë alokuar. Sheshi “Adem Preniqi” është me buxhet komunal, 60 për qind është gjelbërim”, tha ai.

Xhafer Gashi flet për punët që u kryen në Obiliq gjatë këtij mandati

Për më shumë lidhur me Komunë e Obiliqit dhe kryetarin Xhafer Gashi kliko këtu