Për mungesë kuorumi dështon miratimi i Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së

Pasi ishin vetëm 47 deputetë në sallë, ka dështuar miratimi në lexim të parë të Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se kjo pikë mund të vazhdoj në seancën e rradhës, që mund të caktohet me marrëveshjen e shefave të grupeve parlamentare.

Debati për Ligjin e UÇK-së zgjati për rreth 3 orë, ndërsa pati vërejtje nga deputetët e Kuvendit në këtë ligj.

Propozuesi i këtij ligji, Gazmend Bytyqi i PDK-së, tha se është ligji është i rëndësishëm për të kaluarën e lavdishme.

“Ky projektligj është proceduar në 2018, por për shkak të zgjedhjeve dhe pandemisë ka mbetë. Të gjithë vlerësuam, pa dallime partiake, që ky ligj është i nevojshëm. Jemi të vetëdijshëm që nuk është ligji më i mirë, por qëllimi është më i mirë dhe është mbrojtja e vlerave të UÇK-së”, tha Bytyqi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi gjatë diskutimit në Kuvend tha se ky ligj ka probleme përmbajtësore dhe nuk është i saktë, sa i përket historisë së UÇK-së.

“Vetëvendosje nuk është kundër vlerave të luftës, që të jenë të mbrojtura. Por a duhet të mbrohet me ligj, nga kush duhet të mbrohet dhe nga kush është e rrezikuar. UÇK nuk ka nevojë për mbrojtje, por për njohje institucionale” deklaroi Selimi.

Ndërsa deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se në shpalljen e pavarësisë së Kosovës vlerësohet sakrifica e shqiptarëve gjeneratë pas gjenerate.

“Pra të nderuar kolegë, në shpalljen e pavarësisë vlerësohet sakrifica e shqiptarëve gjeneratë pas gjeneratë deri në UÇK. Nuk di të kishte UÇK pa kontributin e luftëtarëve të lirisë, të burgosurve politikë, e të rilindësve der inë shpalljen e pavarësisë. Ata që kundërshtuan shpalljen e pavarësisë, e që dërguan dy të ri në vdekje,  sot po na paraqiten si mbrojtës të pavarësisë”, tha Haxhiu.