Tahografi me kartelë

Për momentin në Kosovë nuk është autorizuar asnjë kompani për verifikimin e tahografëve

Qe 18 ditë në Kosovë nuk ka asnjë kompani të autorizuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës për verifikimin e tahografëve, të cilët janë të vendosur nëpër kamionët që transportojnë mallra jashtë Kosovës.

Autorizimi i fundit i dhënë nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës ka përfunduar më 19 shkurt 2021.

Sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kjo ka ndodhur për shkak se Udhëzimi Administrativ i cili rregullon këtë fushë ka qenë në procedura të rishikimit.

“Udhëzimi Administrativ i cili rregullon këtë fushë ka qenë në procedura të rishikimit, për këtë arsye janë krijuar vonesa në procedura të autorizimit të subjekteve për verifikimin e tahografëve”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Autorizimi i kompanive është në procedurë dhe i njëjti planifikohet të përfundojë brenda dy javësh.

Në pritje të marrjes së autorizimit janë 6 kompani të cilat kanë aplikuar pas thirrjes publike.

Secili prej kamionëve transportues ka të vendosur nga një tahograf, i cili përmban të dhënat se kur e fillon punën vozitësi, sa orë pune dhe sa të tjera pushim i ka.