Për Lajçakun koha tashmë po ecën 

Të dërguarit të ri special për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak i është dhënë pak kohë për të rikthyer besimin e BE për të normalizuar marrëdhëniet midis dy shteteve, veçanërisht në kohën kur po përballemi me një pandemi globale, krizë politike të brendshme dhe presionin politik nga ana tjetër e Atlantikut.

Më 3 prill, BE zyrtarisht e emëroi Miroslav Lajçakun si të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor. Lajçak, i cili më parë shërbeu si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, u propozua nga shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë të BE-së, Josep Borell, i cili me të marrë mandatin e tij theksoi se marrëdhëniet Kosovë-Serbi do të jenë një nga prioritetet e tij kryesore.

Gjatë një konferencë për shtyp të hënën, një zëdhënës i BE-së pë Politikë të Jashtme tha se Lajçak do të fillojë konsultimet për dialogun këtë javë. Atij do t’i duhet të lëvizë shpejt. Lajçakut i është dhënë një mandat fillestar prej dymbëdhjetë muajsh për të përmbushur detyrën e tij, “normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Kjo kornizë kohore duket ambicioze. Nëse BE-ja nuk ishte në gjendje të arrijë normalizimin gjatë dhjetë viteve, sa realiste mund të jetë që marrëveshja finale të arrihet brenda vetëm një viti? Përballja e njerëzimit me një pandemi globale hedh edhe më shumë dyshime në një afat kohor kaq optimist, me shumë vende që kanë mbyllur kufijtë e tyre nga frika e përhapjes së mëtejshme e virusit.

Pandemia gjithashtu ka krijuar pasiguri politike në të gjithë globin, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

Qeveria e Kosovës u shkarkua muajin e kaluar pas një vote mosbesimi. Me pamundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja, negociatat për formimin e një qeverie të re janë duke u zhvilluar, por duket se menjëherë kanë hasur në një ngërç, me Vetëvendosjen hezituese për të ofruar emrin e një kandidati për të mandatuar qeverinë e ardhshme. Kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se një emër do të propozohet “me kohë”.

Zgjedhjet e planifikuara në Serbi për muajin prill gjithashtu janë shtyrë si rezultat i pandemisë, dhe mund të nevojiten disa muaj që të dy vendet të bëhen me qeveri të ligjshme.

BE nuk përmbushi premtimet, SH.B.A. plotësoi vakuumin

Lajçak gjithashtu përballet me një mjedis të ndryshuar gjeopolitik, me perspektivat Euro-Atlantike në dukje të copëzuara javëve të fundit, ndërkohë që BE dhe SH.B.A po bëjnë garë se kush më shumë po e luan rolin e paqeruajtësit.

Bisedimet e lehtësuara nga BE midis Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen tash e dhjetë vjet duke mos rezultuar me një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse. Në fakt, bisedimet janë pezulluar plotësisht që nga nëntori i vitit 2018, pas vendimit të qeverisë së mëparshme të Kosovës për vendosjen e tarifës 100 përqind për mallrat serbe.

Para pezullimit të tarifës, pretendimet për bisedime sekrete midis Thaçit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe paraardhësit të Borrell, Federica Mogherini, në të cilat ishte diskutuar shkëmbimi territorial e dëmtuan reputacionin e BE në Kosovë – ashtu siç nuk janë përmbushur një seri premtimesh për liberalizimin e vizave.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, SH.B.A. kryesisht u shkëput nga rajoni, duke i lejuar BE të merrte përsipër normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, në vitin 2019 administrata e Trump emëroi dy diplomatë të rinj – Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer dhe të Dërguarin Special në Dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell – të cilët i kanë dhënë një kahje tjetër kësaj dialogut.

Grenell u vu në lëvizje në muajin janar duke deklaruar se kishte arritur një marrëveshje të drejtpërdrejtë për fluturimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që e ashtuquajtura marrëveshje duket të jetë pak më shumë sesa vetëm letër interesi, takimi, i cili u mbajt në ambasadën amerikane në Berlin, ku Grenell shërben si Ambasador i SHBA, nxiti vëmendje mediatike duke anashkaluarpërfaqësuesit e BE-së.

Të dërguarit e rinj të presidentit Trump po përpiqen të dërgojnë sinjale se mund t’i vendosin në binarë të duhur  gjërat në rajon, dhe ndërsa SHBA gjithmonë ka qenë mbështetëse e dialogut të lehtësuar nga BE, akoma nuk ka ndonjë deklaratë nga zyrtarët amerikanë për urimin e Lajçak në rolin e tij të ri.

Administratat aktuale të dy superfuqive globale duket se kanë prioritete të ndryshme për dialogun. Ndërsa BE dëshiron ti qaset një marrëveshjeje përfundimtare që shmang krijimin e ndërlikimeve tjera politike në rajon, SH.B.A. duket se po përqendrohet në rezultate të shpejta për shkak të zgjedhjeve presidenciale në nëntor të këtij viti.

Rikthimi i besueshmërisë së BE-së

thashethemet për emërimin e Lajcak qarkulluan qysh në fillim të muajit marsit. Emërimi i tij nuk është mirëpritur në Kosovë. Pas lajmeve për emërimin e tij, ish-kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se “BE po e zvarritë dialogun”, ndërsa Presidenti Thaçi e etiketoi atë si “zgjedhje të gabuar”. 

Qeveria e Kosovës në detyrë ka shprehur gjithashtu një skepticizëm se dy zyrtarët e BE-së të përfshirë në dialog, Borrell dhe Lajçak, vijnë nga dy vende që nuk e njohin Kosovën, Spanja, përkatësisht Sllovakia. Sidoqoftë, qeveria në detyrë ka deklaruar gjithashtu se aspekti më i rëndësishëm i dialogut është se ai ka parime të qarta dhe synon një marrëveshje të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

Ndërkohë Thaci dhe Haradinaj kanë deklaruar se amerikanët kanë “një rol kryesor” në dialog dhe besojnë qartë se shanset për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë janë më të mëdha me amerikanët sesa me evropianët. Problemi me këtë situatë të krijuar është fakti se është provokuar një debat përçarës në politikën e brendshme në Kosovë për mbështetjen e BE-së dhe SH.B.A.-së.

Në mënyrë që të ketë një qasje efektive ndaj dialogut, Lajçak së pari duhet të rivendosë besueshmërinë e venitur të BE-së në Kosovë. Duhet të bëjë vizita zyrtare në Serbi dhe Kosovë për të takuar figura të shquara nga media dhe shoqëria civile, dhe duhet të ketë një distancim të qartë nga strategjia e ish shefes së BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini, duke mos negociuar prapa dyerve të mbyllura në mënyrë që të sigurojë transparencë gjatë gjithë procesit.

Për ta rritur legjitimitetin e BE-së, Lajçak duhet të përqendrohet në prioritetet lokale. Sipas një studimi të fundit të kryer nga Instituti Demokracia për Zhvillim në Kosovë, qytetarët e Kosovës janë shprehur se liberalizimi i vizave duhet të jetë prioriteti kryesor i politikës së jashtme të këtij vendi.

Nëse Lajçak dëshiron të perceptohet si diplomat kredibil, ai duhet ta bindë BE të realizojë premtimin e bërë për liberalaizimin e vizave, një premtim që u rekomandua nga Komisioni Evropian më shumë se dy vjet më parë.

Lajçak gjithashtu duhet të jetë shumë i qartë kur jep deklarata politike mbi dialogun, sepse ai përfaqëson BE-në dhe jo shtetin e tij anëtar. Qytetarët tashmë kanë frikë se Lajçak nuk do të jetë një negociator i paanshëm për shkak se Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën dhe ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në fund, Lajçak edhe BE duhet të jenë të zëshëm kundër idesë së shkëmbimit territorial, pasi shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, shqiptarë edhe serbë, e kundërshtojnë një ide të tillë.

Në mënyrë që marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të normalizohen, ekzistojnë pengesa të shumta të cilat duhen të tejkalohen, përfshirë çështjet tregtare, mosmarrëveshjet mbi kufijtë, fushatën e vazhdueshme të çnjohjes nga ana e Serbisë si dhe tensionin e rrënjosur që shpërfaqet nga mungesa e njohjes së krimeve dhe tragjedive të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Mundësia e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë këtë vit duket të jetë minimale. Edhe sipas skenarit më optimist, nëse pandemia merr fund më shpejt dhe zgjedhjet në të dy vendet mbahen me sukses dhe qeveritë e reja formohen, negociatat nuk mund të zhvillohen para muajit shtator.

Qoftë para zgjedhjeve amerikane në muajin nëntor, qoftë para përfundimit të mandatit të Lajçakut pas 12 muajve duke filluar nga tani, asnjë marrëveshje e arritur brenda një viti nuk duket të jetë një marrëveshje e mirë për Kosovën.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.