Albert Zogaj - Kryesues i KGJK-së

Për KGJK-në, ulja e pagave vendimi më i dëmshëm për sistemin e drejtësisë

Ulja e pagave për gjyqtarët ka qenë e pritur për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Kështu edhe ka deklaruar kreu i këtij institucioni, Albert Zogaj në një intervistë për emisionin #KallxoPernime.

Zogaj e ka quajtur veprim kundër sistemit të drejtësisë, uljen e koeficientit të pagave për ta.

“Ulja e pagave është në dëm të pavarësisë së sistemit gjyqësor, por nuk është vendim befasues. Ne s’kemi pritur ndonjë vendim tjetër realisht prej Qeverisë. Përkundër negociatave me zyrtarë qeveritarë për të parë statusin e gjyqtarit në ligjin për pagat, nuk kemi parë ndonjë reflektim nga ana e tyre”- ka thënë kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj.

Ai më tej nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjeve të gjyqtarëve nëse mbetet ky koeficient i pagave për ta, duke shtuar se sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor janë me dekret pra, një gjyqtar apo prokuror nuk mund të bëjë një punë të dytë.

Ndryshe në fund të nëntorit të vitit të kaluar kur Qeveria kishte miratuar Projektligjit për pagat, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në shenjë proteste kishte vendosur që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i vendit njoftoi se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro. Kurti ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave kanë bërë përgatitjet e nevojshme sipas Ligjit të pagave. “Pas miratimit të Ligjit të pagave, sot po vendosim në ligjin e buxhetit të Kosovës edhe vlerën e koeficientit. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë bërë përgatitjet e nevojshme sipas ligjit të pagave të 82 mijë zyrtarëve publikë” – u shpreh Kurti.

Vlera e koeficientit për paga në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro

Me uljen e pagave nuk janë pajtuar as Këshilli Prokurorial i Kosovës. Kryesuesi i këtij këshilli, Jetish Maloku ka deklaruar se ligji duhet të shkojë Gjykatën Kushtetuese.

Maloku: Ulja e pagave të prokurorëve dhe gjykatësve është prishje e sistemit të drejtësisë