Bujanoci. Foto: Flickr
"Për identitet dhe dinjitet", shqiptarët e Luginës do të protestojnë sot në Bujanoc
Qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës do të protestojnë sot, më 12.08.2024, në orën 11:00 në sheshin e Bujanocit.
Ata do të protestojnë kundër shtypjes, diskriminimit e shkeljes që po ju bëhet nga Beogradi.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka bërë ftesë te qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj proteste të thirrur për drejtësi dhe barazai.
“Të dalim bashkë, pa dallim. Të ngrisim zërin tonë. Për IDENTITET e DINJITET.
Zërin e shqiptarëve të diskriminuar” ka shkruar Sinani në Facebook.
Këshilli Organizativ i Protestës “Për Identitet dhe Dinjitet”, tha që po protestojnë për shumë arsye e që emërues të përbashkët ka trajtimin si qytetarë të dorës së dytë.
Disa nga arsyet e protestimit të dhëna nga Këshilli Organizativ janë: marrëveshjet e mbetura në letër e obligimet që asnjëherë nuk u përfunduan; për pasivizimin selektiv të adresave; për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe;për dyert e mbyllura të institucioneve shtetërore; për mundësitë e mohuara; për shanset e humbura.
“Shqiptarët, si popull e si komb, meritojnë trajtim të barabartë e mundësi reale”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ të Protestës “Për Identitet dhe Dinjitet”.
Deputeti shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë, Shaip Kamberi tha se në prag të protestës po përballen me një valë të re presioni dhe intimidimi të nga ana e Policisë dhe organeve ligj – zbatuese në Bujanoc e Vranjë.
Kamberi përmes një postimi në Facebook, tha se një qytetar është arrestuar për shkak të një komenti lidhur me protestën e paralajmëruar, në profilin e facebookut të portalit lokal “Bujanovaçke” për vepër penale “nxitje të urrejtjes ndërnacionale”
“Padyshim nuk duhet shprehur mirëkuptim për nxitjen e dhunës apo urrejtjes, sidomos kur kjo ndodh në një komunë multietnike, siç është Bujanoci, ku edhe ashtu raportet janë të ndërlikuara”- shkruan Kamberi
Problemi i pasivizimit të adresave është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, pjesa për Serbinë, kur është përmendur respektimi i të drejtave të minoriteteve.
Në raportin për vitin 2022 përmendet edhe që pjesëtarët e pakicës shqiptare kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si kontrollohet adresa e tyre e banimit.
“Ekziston nevoja që autoritetet të sqarojnë më mirë për publikun si kryhen këto kontrolle”, është thënë mes tjerash në raport.
Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2022, është përmendur se praktika e pasivizimit të adresave në Serbi, konsiderohet veprim kontrovers.