Për herë të tretë dështon të votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

Për herë të tretë radhazi brenda ditës nuk ka arritur të votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike në Kuvendin e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në votim kanë marrë pjesë vetëm 60 deputetë duke bërë që ky projektligj të mos ketë votat e mjaftueshme.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar edhe në seancën e re të Kuvendit të Kosovës të provohet të votohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike e cila dështoi të votohet në seancën e kaluar që u mbajt gjithashtu sot.

“Propozoj që pas pikës jashtë rendit të ditës të provojmë ta votojmë edhe një herë ligjin për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ai.

Këtë votim nuk e kanë penguar shefat e grupeve të tjera parlamentare por kanë thënë se kjo nuk është zgjidhje.

Deputeti në arrati, dështon për një votë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosja ka thënë se parlamenti është shëndrruar në një teatër.

“Parlamenti i Kosovës është shëndrruar në teatër kur këtu skenare të dështuara po përsëriten. Ne në parim nuk jemi kundër të provojmë duke ditur që nuk i kanë numrat por le ta provojnë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Uran Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kjo formë nuk i jep zgjidhje qytetarit të Kosovës.

“ Në shumë forma tentuam që të japin një zgjidhje për qytetarët e Kosovës, pritja me e madhe e tyrë është për Trustin. Natyrisht ne nuk jemi kundër që të votojmë por nuk i jep zgjidhje qytetarit të Kosovës”, ka thënë Ismajli.