Për herë të parë shpendi i krillës shihet edhe gjatë dimrit në Shqipëri

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri ka njoftuar se për herë të parë gjatë dimrit është regjistruar prania e shpendit të krillës në Bulos të Gjirokastrës, ku janë parë 5 individë të këtij lloji.

“Gjatë Censusit të Shpendëve të Ujit të këtij viti, ekipi i përbërë nga PPNEA, Qendra “Shpendët e Shqipërisë” dhe AdZM Gjirokastër regjistroi për herë të parë në Shqipëri gjatë periudhës së dimrit praninë e krillës (Grus grus). 5 individë të këtij lloji, ku së paku 3 janë të rritur, janë vrojtuar në rezervuarin e Bulos, Gjirokastër”, thuhet në postim.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se ky është regjistrim unik sepse ky lloj i shpendit haset vetëm gjatë periudhës së shtegtimit, në tufa relativisht të mëdha dhe kryesisht në zonën bregdetare qendrore dhe veriore të Shqipërisë, bazuar në raportimet e viteve të fundit.

“Ndërkohë, në vende të tjera, vrojtimet e këtij lloji gjatë dimrit janë të rralla dhe përfaqësohen kryesisht nga individ të rinj të vetmuar, sikundër është regjistruar një rast i tillë në ishullin e Korfuzit gjatë dhjetorit të vitit 2012”, shpjegon Shoqata e Ruajtjes dhe Mrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.

Krilla është një shpend me përmasa të mëdha, me trup të gjatë deri në 120 cm dhe gjatësi e hapjes së krahëve deri në 222 cm.

Pjesa më e madhe e popullatës së krillës është shtegtare dhe folezon në rajonin zoogjeografik të Palearktikut duke filluar nga Evropa Veriore deri në Kinën Qendrore dhe në lindjen e largët të Rusisë; gjithashtu në Turqi, Kaukaz, Armeni.

Ndërkohë vend-dimërimet e njohura të këtij lloji janë Franca, Gadishulli Iberik, Afrika Veri-Perëndimore dhe Veri-Lindore, Lindja e Mesme, Pakistani, India, Kina Jugore dhe Lindore.