Foto: Natasa Pirc Musar / Facebook

Për herë të parë një grua zgjidhet presidente e Sllovenisë

Një ngjarje historike është shënuar në politikën e Sllovenisë.

Natasha Pirc Musar është e para grua që do ta marrë postin e presidentit të vendit.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, i mbajtur sot, Natasha Pirc Musar del se ka mposhtur kundërshtarin Anzhe Logar, sipas rezultateve ende jo përfundimtare.

Siç raporton portali Delo.si, pas numërimit të 99 për qind të votave, Natasha Pirc ka fituar 53.86 për qind, ndërsa rivali i saj 46.14 për qind.

Në një deklarim sonte në mbrëmje Natasha Pirc Musar premtoi se do të bëjë të pamundurën që të jetë presidente e të gjithëve dhe premtoi se do të luftojë për demokraci.

Ndër personalitetet e para që e ka uruar presidenten e re sllovene është kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila ka thënë se mezi pret që të punojë me të.

54-vjeçarja Natasha Pirc Musar, me profesion avokate, do ta zëvendësojë Borut Pahorin, mandati i të cilit përfundon më 23 dhjetor.

Natasha Pirc Musar ka garuar si kandidate e pavarur dhe ka premtuar se nuk do të anëtarësohet në asnjë parti politike.