Foto: KALLXO.com

Për herë të dytë shpallet e pafajshme ish-drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë

Gjykata e Mitrovicës e ka shpallur për herë të dytë të pafajshme ish-drejtoreshën e Arsimit të Komunës së Mitrovicës, Ajmane Barani

Barani akuzohej nga Prokuroria e Mitrovicës për kryerje e veprës penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Radosllav Markoviq, nuk ka pasur prova të cilat e vërtetonin tezën e aktakuzës për të cilën akuzohej e pandehura.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzon Ajmane Baranin se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Me qëllim që vetës t’i sjellë dobi pasurore sipas aktakuzës e pandehura i ka shkaktuar dëm personit tjetër, tani të dëmtuarës Mirdona Istrefi.

Aktakuza pretendon se e pandehura nuk e kishte përfillur vendimin e komisionit për pranimin e mësimdhënësve për lëndën e psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“ në Mitrovicë lidhur me konkursin plotësues që ishte shpallur në dhjetor të vitit 2014.

Në këtë vendim komisioni kishte vendosur për pranimin në punë të kandidates Mirdona Istrefi, ndërsa në vendin e saj tani e pandehura ka pranuar një kandidate tjetër.

Me këtë ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, thuhet në aktakuzë.

Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Mitrovicë kishte rekomanduar që të shpallej konkurs për mësimdhënës të lëndës së psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“, në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së rekomandimit, mirëpo e pandehura nuk kishte vepruar sipas këtij rekomandimi.

Paraprakisht, në seancën e sotme janë administruar provat dhe është dhënë fjala përfundimtare nga palët.

Prokurori Ismet Ujkani ka bërë precizimin e aktakuzës, duke hequr rreshtin e fundit të dispozitivit, ku thuhej se e pandehura nuk ka vepruar sipas rekomandimeve të Inspektoratit të Arsimit për ri shpalljen e konkursit për mësimdhënës të psikologjisë, duke shtuar se është shpallur konkursi në kundërshtim me Ligjin nr.04/L-32 parauniversitar të Arsimit.

“Në rreshtin e fundit hiqen fjalët “mirëpo e pandehura nuk ka vepruar sipas këtij rekomandimi”, ndërsa të shtohen fjalët “ Pastaj është shpallur konkursi nga e pandehura, por e pandehura në komision të konkursit për shqyrtimin e dokumenteve të kandidatëve ka caktuar veten në kundërshtim me Ligjin mbi arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës nr.04/L-32 dhe ka themeluar marrëdhënie pune kandidati tjetër Donjeta Rexha, pa i plotësuar kushtet e konkursit,  ndërsa nuk ka themeluar marrëdhënie pune kandidatja Mirdona Istrefi, që i ka plotësuar kushtet e konkursit”.

Pas këtij plotësimi prokurori Ujkani ka thënë se vepra penale mbetet e njëjtë.

Ai po ashtu me rastin e dhënies se fjalës përfundimtare ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurën Barani ta shpallë fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit.

Kurse  e pandehura Barani në fjalën përfundimtare ka kundërshtuar aktakuzën dhe precizimin e Prokurorisë.

Barani ka deklaruar se Donjeta Rexha ka qenë kandidatja më e mirë në mesin e kandidatëve të tjerë të cilët kishin konkurruar, ndërsa shtoi se komisionin për vlerësimin e kandidatëve e formon Drejtoria komunale e Arsimit (DKA).

“Në fund konsideroj se kjo aktakuzë është e pabazë, e ka qenë prej fillimit, për shkak se janë përmbyll të gjitha procedurat “, tha Barani.

Ndryshe, e njëjta Gjykatë, më 13 dhjetor 2018 e kishte liruar nga akuza për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar Ajmane Baranin.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim këtë lëndë.