Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për dhjetë ditë, pesë policë u suspenduan se nuk respektuan masat kundër COVID-19

Pesë zyrtarë policorë janë suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës vetëm në dhjetë ditët e fundit.

Një plan operativ i nisur më 4 dhjetor nga IPK, rezultoi me suspendimin e një rreshteri, një polici të njësive speciale dhe tre policëve të tjerë të cilët nuk kishin respektuar masat kundër pandemisë dhe ishin parë brenda lokaleve pas orës së kufizuar, të cilat sipas vendimeve të fundit të qeverisë kanë leje pune vetëm deri në orën 19:00.

Dy polic të rinj dhe një rreshter janë suspenduar në rajonin e Pejës. Dy zyrtarët policorë janë parë në një lokal pas orës 20:00, kur është edhe e ndaluar me vendim të Qeverisë së Kosovës. Në këtë rast është suspenduar edhe mbikëqyrësi i policëve të rinj.

Madje KALLXO.com mësoi se për të njëjtin lokal ditë më parë pas disa insistimeve dhe thirrjeve se lokali po qëndron hapur, zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kërkuar mbylljen e lokalit pas orës së lejuar.

“Edhe tre zyrtarë policorë që janë suspenduar me rekomandim të IPK-së gjatë këtij vikendi dhe ndaj tyre pritet të zhvillohet procedurë administrative disiplinore”, thuhet në një përgjigje të Inspektoratit Policor të Kosovës për KALLXO.com.

Tutje një polic i njësive speciale ishte hasur brenda një lokali në cilësinë e mysafirit, ditë më parë. Vetëm një ditë pasi kishte filluar plani operativ ishte kërkuar edhe suspendimi i parë.

Orët e mbrëmjes së 5 dhjetorit, policia kishte marrë një i formacion se në një lokal në Mitrovicë nuk po respektohej mbyllja e lokaleve pas orës 19:00, ashtu siç ka vendosur Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Zyrtari policor ishte hasur brenda lokalit, në cilësinë e mysafirit ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës kishte kërkuar edhe suspendimin e tij nga detyra.

IPK në disa përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Plani Operative është duke u implementuar në tërë territorin e Kosovës dhe janë  mbuluar gjithë Drejtoritë Rajonale të Policisë së Kosovës.

Në lidhje me suspendimet IPK thotë se ndaj njërit prej zyrtarëve policor ka filluar hetim penal ndërsa është rekomanduar vazhdimi i suspendimit në interes të hetimit.

Ky zyrtar policor me inicialet D.V., ishte përfshirë në rrahje deri sa ishte edhe në gjendje të dehur. Ngjarja kishte ndodhur në një lokal apo kafeteri në Mitrovicën e Veriut. Polici ishte përfshirë në rrahje me disa qytetarë, ku këta të fundit kishin pësuar edhe lëndime trupore.

Për të tjerët zyrtar policor është iniciuar hetim disiplinor.

“Gjatë realizimit të planit operativ ekipet e IPK-së në teren kanë identifikuar disa lokale të cilat nuk ishin duke respektuar orarin e punës dhe në këto raste janë informuar inspektoret dhe zyrtarët policorë për të intervenuar, ku në bazë të informacioneve të marra janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave nga ana e inspektorëve dhe zyrtarëve policorë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për Planin Operativ të Inspektoratit Policor të Kosovës, qëllimi i të cilit është vëzhgimi dhe monitorimi i zyrtarëve policor nëse po punojnë në bazë të detyrave dhe ligjit për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.