Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për dhjetë ditë në Kosovë mbi 500 persona u infektuan me COVID-19

Në dhjetë ditët e fundit në Kosovë ka pasur rrritje të dukshme të rasteve pozitive me COVID-19.

Më 19 qershor të këtij viti, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), kishte njoftuar për 15 raste pozitive me këtë virus, derisa në më pak se dy javë, 29 qershori e gjeti vendin me 177 raste të tilla.

Ndërkaq, me 20 qershor, Ministria e Shëndetësisë sipas të dhënave nga IKShPK-ja njoftoi se në këtë ditë prej 137 testimeve 12 qytetarë rezultuan pozitivë me COVID-19 ku në këtë ditë në të dhënat e këtij instituti nuk figuroi asnjë person i vaksinuar.

Kjo shifër e të infektuarve u ngrit për një numër kur më 21 qershor u njoftua për 13 persona të infektuar me këtë virus brenda 24 orëve.

Më 22 qershor ky numër rezultoi me 43 raste pozitive gjersa dita pasuese e gjeti Kosovën me më pak raste pozitive me COVID-19 pasi që IKShPK njoftoi për 29 persona të infektuar brenda 24 orëve.

Mirëpo, rritje të rasteve pati në ditët pasuese ku më 24 qershor u njoftua për 38 raste pozitive, më 25 qershor për 49 raste pozitive  e me datën 26 të këtij muaji IKSHPK bëri të ditur se ishin 52 raste të reja.

Në anën tjetër, më 27 qershor u konfirmuan 35 raste të reja derisa më 28 qershor u konfirmua se 64 persona të tjerë janë infektuar me këtë virus e më 29 qershor IKShPK njoftoi për 177 raste të reja pozitive me COVID-19.

Sipas të dhënave nga IKSHPK, nga 19 qershori e deri më 29 qershor figurojnë se janë dhënë 393 vaksina kundër coronavirusit.

Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit nga ky Institut, aktualisht në vend janë 486 raste aktive me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar\ se vendet e rajonit, por dhe Kosova po shënojnë ditëve të fundit rritje të rasteve të COVID-19.

Sipas tyre, mënyra më e lehtë dhe më praktike për të ulur rrezikun dhe për t’u mbrojtur nga COVID-19 mbetet vaksinimi, krahas respektimit të masave të tjera parandaluese.

“Përmes sigurimit të dozave të mjaftueshme të vaksinës kundër Covid-19 dhe qasjes së lehtë, vaksinimi sot është një proces i lehtë dhe i mundur në njësitë e vaksinimit (KPSH) në çdo komunë të Kosovës. Mbroje shëndetin tuaj-Vaksinohu!”, ka apeluar MSh.