Daniel Serwer - Foto: REL

Për Daniel Serwer 'nuk është bindëse' deklarata e ShBA-së se nuk ka plane për shkëmbime territoresh

Daniel Serwer, ish-këshilltar i Hashim Thaçit dhe udhëheqësi i programit për menaxhimin e konflikteve në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, pas deklaratës amerikane ku u mohua të ketë plan të fshehtë për për shkëmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se e rëndësishme është ajo që nuk thuhet.

Serwer e ka analizuar secilin paragraf të deklaratës të cilën e publikoi Departamenti Amerikan i Shtetit, në një përgjigje të të dërguarit special të presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, erdhi pas një sërë akuzash se ekziston një marrëveshje sekrete mes palës kosovare dhe serbe, me ideatorë presidentët, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq.

Serwer thotë se administrata e presidentit Donald Trump është duke i kërkuar Kosovës që ta përmbushë një kusht të Serbisë, pa asgjë në shkëmbim, në kërkesën për ta hequr tarifën 100 përqind.

“Ajo që e ka kërkuar Prishtina është pezullimi i fushatës së çnjohjeve, e ndërmarrë nga Serbia anembanë botës”, thuhet në publikimin e tij.

Sipas Serwer, qëndrimi se i dërguari i Trumpit për dialog, Richard Grenell nuk ka parë asnjë plan për shkëmbim territori, nuk është i besueshëm.

“Disa plane, me origjinë të paqartë, janë publikuar. Presidentët Thaçi dhe Vuçiq i janë referuar diskutimeve për shkëmbim territoresh. Madje edhe nëse SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në to (gjë që ka pak gjasa të ketë ndodhur), inteligjenca amerikane do të kishte raportuar për këto diskutime, përfshirë edhe për hartat e shkëmbyera”, thotë ai.

Grenell është ushtrues detyre i Inteligjencës Shtetërore amerikane, njofton tutje ai.

Serwer shton se vlen të theksohet se Kosnett dhe Palmer nuk janë përmendur në këtë mohim, pra se nuk e kanë parë ndonjë plan. “Kjo lë të kuptohet se ata e kanë parë”, thekson ai.

Në një deklaratë të përbashkët të të dërguarit special të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, thuhet që nuk ka një plan të fshehtë për shkëmbime territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas deklaratës, të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Grenell nuk ka parë e as dëgjuar kurrë për një plan të tillë.

Po ashtu, ata janë deklaruar se lidhjet ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Kosovës dhe Serbisë janë në të mirë të Kosovës dhe do të sjellin njohje të ndërsjellë përmes dialogut.

Në anën tjetër, Eliot Engel kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një deklaratë ka thënë se është thellësisht i shqetësuar në “taktikat” që administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përdorë mbi Kosovën.

Më poshtë e gjeni të plotë pubikimin e Daniel Serwer:

Departamenti amerikan i Shtetit e lëshoi këtë deklaratë të përbashkët të të dërguarit të posaçëm të administratës Trump, Richard Grenellit, ambasadorit Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmerit, lidhur me Kosovën, të enjten:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë popullit të Kosovës. I lëvdojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të të tjerëve që po punojnë me mund e me rrezik të madh për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë pasigurie, i nxisim udhëheqësit e Kosovës që t’i përmbahen Kushteturës së Kosovës dhe sundimit të ligjit. Jemi të përkushtuar për të punuar me çfarëdo qeverie të formuar përmes procesit kushtetues.

Përveç kësaj, vazhdojmë t’i nxisim udhëheqësit e Kosovës për ta hequr plotësisht taksën. Ne besojmë se taksa po e dëmton popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe po pengon rritjen ekonomike.

Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim të tokës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell kurrë nuk ka parë apo diskutuar një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane për t’i mbështetur marrëveshjet e kohëve të fundit për rivendosjen e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim që të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë momentum ekonomik. Ne besojmë se ky momentum do t’i japë energji të re procesit të dialogut që do të çonte te njohja e ndërsjellë”.

Deri në një masë, kjo do të mund të quhej përgjigje për analizën “Një marrëveshje e keqe” e Shaun Byrnesit, e postuar këtu në “Peacefare”, dy javë më parë, por njëkohësisht është edhe përpjekje për ta justifikuar politikën jomiqësore të administratës Trump karshi qeverisë së Kosovës, së udhëhequr nga Albin Kurti.

Ta analizojmë në vijim secilin paragraf:

1.Fraza “qëndron pranë popullit të” flet shumë, pasi që përdoret për ta bërë dallimin midis popullit dhe qeverisë së një shteti të jashtëm. Këtë frazë amerikanët e përdorin për armiqtë si Iranin: Ne i qëndrojmë pranë popullit të Iranit. Ambasada amerikane e kishte lëshuar një deklaratë të pazakontë, duke e mbështetur mbajtjen e votës së mosbesimit që e rrëzoi qeverinë e kryeministrit Kurti, deklaratë kjo e lëshuar në fillim të javës. Kjo ndodhi me gjithë kundërshtimin evropian ndaj votës së mosbesimit. Esenca është e qartë: Në momentin kur qeveria e Kosovës po përballej me sfidën e COVID-19, administrata e Trumpit vendosi sidoqoftë që ta shtyjë rrëzimin e qeverisë.

2.Duke e nxitur tërheqjen e plotë të njëanshme të tarifave, shpërfillet parimi themelor i diplomacisë: reciprociteti. Administrata Trump është duke i kërkuar Kosovës që ta përmbushë një kusht të Serbisë, pa asgjë në shkëmbim. Ajo që e ka kërkuar Prishtina është pezullimi i fushatës së çnjohjeve, e ndërmarrë nga Serbia anembanë botës. A është njëmend e tepërt që një shteti që dëshiron që Kosova t’ia blejë mallrat, t’i kërkohet t’i ndalë përpjekjet për t’i bindur shtetet tjera ta sprapsin njohjen e Kosovës? Sido që të jetë, Kurti i hoqi disa prej tarifave njëanshëm dhe shfaqi gatishmëri të shkojë më tej, madje pa sinjalin më të vogël të reciprocitetit nga Serbia. Ku është presioni mbi Serbinë për reciprocitet?

3.Qëndrimi se Grenelli nuk ka parë kurrë ndonjë plan, nuk është i besueshëm. Disa plane, me origjinë të paqartë, janë publikuar. Presidentët Thaçi dhe Vuçiq i janë referuar diskutimeve për shkëmbim territoresh. Madje edhe nëse SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në to (gjë që ka pak gjasa të ketë ndodhur), inteligjenca amerikane do të kishte raportuar për këto diskutime, përfshirë edhe për hartat e shkëmbyera. Grenelli është ushtrues detyre i Inteligjencës Shtetërore amerikane. Vlen të theksohet se Kosnett dhe Palmer nuk përmenden në këtë mohim, pra se nuk e kanë parë ndonjë plan. Kjo lë të kuptohet se ata e kanë parë.

Ngjashëm si shumë deklarata tjera të qeverisë, edhe kjo na tregon më shumë bazuar në atë që nuk e thotë, sesa në atë që është thënë, ndonëse përfshin një gjë të rëndësishme: fjalinë në fund që i referohet njohjes reciproke. Por, duhet theksuar se edhe aty nuk përmendet një gjë. Nëse shkëmbimi i territoreve nuk është duke u negociuar, atëherë është dashur të shkruajë “njohje reciproke brenda kufijve të tyre ekzistues”, apo “njohje reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial”.