COVID-19 Ilustrim: Naser Fejza

Për dallim nga dje, sot dyfish më shumë raste me COVID-19

Numri i rasteve pozitive me coronavirus është dyfishuar gjatë 24 orëve të fundit nëse krahasojmë me një ditë më parë.

Sot në Kosovë janë shënuar 20 raste pozitive nga 1 mijë e 870 mostra të testuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përderisa një ditë më parë ishin shënuar nëntë mostra pozitive, as sot, sikurse edhe dje nuk është evidentuar ndonjë rast i vdekjeve.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë bënë të ditur se 12 persona janë shëruar nga infeksioni COVID-19, në 24 orët e fundit.

Aktualisht në nivel vendi janë 322 raste pozitive me COVID-19.

Sa i përket vaksinimi MSh njofton se gjatë 24 orëve janë dhënë 2 mijë e 74 doza të vaksinave anti-COVID.

“Deri më sot 778 mijë e 403 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftim.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë një person llogaritet i vaksinuar në momentin që merr dy doza të vaksinave.

Përderisa mbi 35 shtet në botë janë duke u ballafaquar me variantin e ri Omicron shumë vende tjera kanë filluar të dhënë dozën e tretë përforcuese kundër COVID-19.

Më nëntë dhjetor doza e tretë e vaksinës përforcuese ka filluar të jepet edhe në Kosovë.

Deri më tani janë infektuar mbi 161 mijë qytetarë me virusin corona dhe rreth 3 mijë prej tyre kanë vdekur.

Rastet e para të COVID-19 në Kosovë janë paraqitur më 13 mars 2020.