Arkiv - Agron Matjani, ish-prokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Për çka akuzohej ish-prokurori Agron Matjani që u gjet i vdekur në banesën e tij në Prizren

Agron Matjani, ish-prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjakovë është gjetur i vdekur sot në banesën e tij në Prizren.

Agron Matjani, ish-prokuror në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, u bë i njohur pasi kishte trajtuar rastin e vrasjes së Vabona Ndrecajt.

Ish-prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë e Gjakovës, Agron Matjani ishte suspenduar nga detyra si prokuror pasi dyshohej se kishte kërcënuar kunatën e tij.

Rasti ishte raportuar se kishte ndodhur në javën e parë të nëntorit 2018-të në Prizren, ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori Matjani e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.

Përveç suspendimit për kërcënim ndaj gruas së vëllait të tij, ish-prokurori Matjani ishte akuzuar edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Me 10 maj të këtij viti, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte vendosur t’i propozojë Presidentit të vendit shkarkimin e prokurorit Agron Matjani, për shkak të mosrespektimit të rëndë të detyrave zyrtare.

Ndaj Agron Matjanit, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për vepra penale të korrupsionit.

Ai akuzohej se e kishte keqpërdorur pozitën e prokurorit në dy raste në të cilat i kishte zbutur akuzat për të pandehurit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë speciale, Prokurori Matjani në rastin kundër të akuzuarve Qëndrim Shala dhe Veton Gjoshi e kishte zbutur aktakuzën nga vrasje e rëndë e cila dënohet mbi 10 vite në vrasje të rëndomtë e dënueshme me mbi 5 vite burgim.

Këtë sipas Prokurorisë Speciale, Matjani e kishte bërë edhe pse kanë ekzistuar rrethanat rënduese ndaj atyre dy të akuzuarve si hakmarrja, vrasja e tre personave dhe vënja në rrezik e personave të tjerë.

Matjani akuzohej edhe se ia kishte lehtësuar akuzën ekzaminierit të patentë shofereve në Gjakovë, Luan Haxhishabanit.

Sipas Prokurorisë Speciale në këtë rast Agron Matjani kishte ngritur aktakuzë vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare e cila dënohet deri në 5 vite burgim, ndërsa nuk kishte ngritur fare aktakuzë për marrje ryshfeti ndonëse ekzamineri kishte marrë shumën e të hollave nga kandidatët për t`ua kaluar testin teorik dhe me shkrim.

Ish-prokurori Agron Matjani kishte kërkuar nga gjykata t`i caktohej një avokat sipas detyrës zyrtare për shkak se kishte probleme shëndetësore, ishte i pa punë dhe baba i 4 fëmijëve.

Ish-prokurori Matjani poashtu kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova për konflikt interesi.

Prokurori tashmë i ndjerë, Agron Matjani po ashtu kishte hetuar dosjen për vrasjen  Mark Kqirajt, për të cilën vrasje kishte pushuar hetimet kundër të dyshuarit Bekim Raja.

Në një proces gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Pejës, me rastin e elaborimit të motivit për vrasjen e Ferdinand Gjinit, prokurorja e rastit kishte bërë ndërlidhje edhe me vrasjen e Mark Kqirajt të cilën e kishte hetuar Prokurori Matjani.

Rast tjetër të cilin e kishte hetuar ish-prokurori Matjani është ai i vrasjes së dy vëllezërve në fshatin Plloqicë të Malishevës, pjesëtarit të FSK-së Shani Maloku dhe vëllait të tij Bahri Maloku.

Ish-prokurori, Agron Matjani, u gjet i  vdekur ditën e sotme (05.12.2019) në banesën e tij në Prizren.

Policia ka konfirmuar për KALLXO.com se ish-prokurori është gjetur i vdekur sot rreth orës 09:30 nga familjarët e tij.

Ish-prokurori Agron Matjani në bankën e të akuzuarit, deklarohet për fajësinë

Pamje nga vendi i ngjarjes ku është gjetur i vdekur ish-prokurori Agron Matjani