Për çdo të 11-in tender në Kosovë, u parashtrua ankesë në OShP në vitin 2021

Ndonëse numri i ankesave drejt “gjykatës së tenderëve”, në vitin 2021 ishte më i ulët së në vitin paraprak, edhe ato që u pranuan nuk u shqyrtuan të gjitha. Ndërsa ato që u shqyrtuan, OShP vendosi më shumë në favor të operatorëve ekonomik sesa autoritetit kontraktues.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP),  apo ndryshe siç njihet si “gjykata e tenderëve”, në bazë të ligjit ka mandat t’i shqyrtojë ankesat nga palët me interes lidhur me shkeljet e pretenduara të Ligjit të Prokurimit Publik, mirëpo OShP ka qenë jo funksional që nga prilli i vitit 2021 për shkak se ka i munguar Bordi.

Ndërsa për kohën sa Kishte bordin funksional kishte shqyrtuar 255 ankesa.

“Sipas raportit vjetor 2021 të OShP-së, gjatë vitit janë pranuar gjithsej 881 ankesa, prej tyre, ishin shqyrtuar 255 ankesa të parashtruara deri në prill të vitit 2021, ndërsa 626 ankesat tjera apo 71% e tyre kanë mbetur pa u trajtuar.”- thuhet në raport.

Nga vendimet që kishte marrë OShP, në favor të operatorëve konomikë kanë qenë në 43 për qind të rasteve apo 110 aktivitete të prokurimit të cilat janë kthyer në rivlerësim, 79 vendime janë aprovuar në favor të AK që përbëjnë 31 për qind të numrit të përgjithshëm të ankesave të shqyrtuara, dhe të tjera janë 26.

Në bazë të raportit, në vitin 2021, më pak ankesa pati në OShP se një vit më parë.

“Numri i ankesave të dorëzuara gjatë vitit 2021 ka shënuar rënie prej më shumë se 25% në krahasim me vitin paraprak. Megjithatë, edhe këtë vit raporti i ankesave kundrejt aktiviteteve të prokurimit mbetet 1 ankesë për çdo të 11-tin tender të publikuar. OShP-ja nuk ka shqiptuar asnjë gjobë për AK-të apo për OE-të gjatë vitit 2021.”-bën të ditur raporti.

Çështja më e shpeshtë që është vërejtur në tenderët publik është hyrja në obligime kontraktuese pa buxhet të mjaftueshëm si dhe zhvillimi i aktivitetit të prokurimit dhe lidhja e kontratave (të ndërtimit) në mungesë të projekteve kryesore (ekzekutive).

Ndryshe, në vitin 2021, përmes prokurimit publik 160 autoritete kontraktuese në Kosovë  kanë lidhur 9,892 kontrata në vlerë mbi 429,6 milion euro, ku prej tyre 7,175 kontrata të prokurimit ishin nga organizatat buxhetore apo 73 për qind dhe 2,712 kontrata ishin të ndërmarrjet publike apo 27 për qind, që krahasuar me vitin paraprak paraqet një rënie në vlerë prej 14 për qind sa ishin 499,3 milionë euro.

Burimi kryesor i financimit për tenderët publik ishte nga buxheti i Kosovës me rreth 80 për qind, nga të hyrat vetjake me afër 19 për qind dhe 0,4 për qind ishin financuar nga donacionet.

Kjo u bë e ditur nga raporti i Auditorit të Përgjithshëm për raportin vjetor financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës.