Paris. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Për atletet ukrainase, gëzimi dhe mërzia bëhen një në Olimpiadë
Për garuesit ukrainas në Olimpiadën e Parisit, gëzimi shkon dorë për dore më pikëllimin. Atletët po mundohen me mish e me shpirt që ta përjetojnë ëndrrën për të garuar në aktivitetet sportive më prestigjioze të botës, duke bartur njëherësh peshën e shqetësimit për luftën në vendlindjen e tyre, shkruan agjencia amerikane e lajmeve, AP.
“Kur i lexojmë lajmet, ndihem të dëshpëruara”, thekson Polina Buhrova, lojtarja 20-vjeçare e badmintonit që po merr pjesë në Lojërat e saja të para Olimpike. “Por është edhe fuqia dhe përgjegjësia jonë që të tregojmë se sa të fortë jemi saqë kemi ardhur këtu, se do të luftojmë deri në fund”.
Mesazhet që u ngrohin zemrat
Dhomat dhe sallat akomoduese të atletëve nga mbarë bota janë mbushur me flamuj dhe slogane në fshatin olimpik. Shtëpia ukrainase ka vizatime të fëmijëve me mesazhe, si :”I vendosuri nuk dorëzohet dhe lufton me mish e me shpirt për fitore”, dhe “Lavdi Forcave të Armatosura Ukrainase”. Këto mbishkrime, traditë për t’i mbështetur ushtarët ukrainas në vijat e frontit, po u japin zemër atletëve.
“Ma ngrohin zemrën”, ka thënë skermistja Olga Kharlan, duke qeshur para vizatimeve. Ajo ka shtuar: “Duam ta përfundojmë këtë stinor me sukses sepse po e bëjmë për vendin tonë”.
Kharlan ka rrahur një rrugë unike derisa ka mbërritur në Lojërat e Parisit. Ajo garoi me kolegen ruse, Anna Smirnova, në kampionatin e vjetëm botëror. Smirnova protestoi pasi Kharlan refuzoi t’ia zgjaste dorën dhe ukrainasja u diskualifikua. Megjithatë, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ia ndau një vend Kharlanit për Lojërat e Parisit.
Kharlan ka thënë se përgatitja për Olimpiadën e sivjetme ishte sfiduese – jo vetëm për shkak të rutinës së mundimshme të atletëve olimpikë, por më shumë pasi iu desh të ushtrohej jashtë vendit për shkak të luftës së Rusisë dhe nuk e kishte parë familjen për një kohë të gjatë.
“Luftojmë për heronjtë tanë”
Ama është e vendosur, duke thënë se paraqitja e saj ka rëndësi të madhe edhe përtej arenës sportive.
“Ne luftojmë dhe performojmë për ata të cilët, fatkeqësisht, nuk mund të jenë këtu, sepse u vranë prej Rusisë”, ka thënë ajo. “Kjo u kushtohet atyre dhe të gjithë mbrojtësve tanë”.
Sivjet, Ukraina do të paraqitet me numrin më të vogël të atletëve në historinë e saj të pjesëmarrjes në Lojërat Verore, me 140 garues në 26 sporte. Shumica e tyre janë garues atletike, apo 25 syresh, derisa vetëm njëra – Buhrova – në badimnton. Lufta ndikoi jashtëzakonisht shumë për keq në industrinë e sporteve ukrainase.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ua ndaloi sporteve ekipore ruse dhe bjelloruse në Paris, dhe ata që kalojnë një procedurë sprovuese në dy faza mund të garojnë individualisht si sportistë neutralë. Ata nuk duhet të kenë përkrahur publikisht pushtimin rus të Ukrainës ose të kenë pasur lidhje me agjencitë shtetërore ruse të sigurisë dhe me ushtrinë.
Të zgjedhësh ndërmjet sportit dhe mbijetesës
Në Ukrainë, Buhrova ka thënë se minoi rëndësinë e sporteve dhe qasjes për shumë atletë. Ajo njeh shumë sportistë që hoqën dorë prej ushtrimeve pas pushtimit rus.
“Kur mundohesh të zgjedhësh ndërmjet jetës dhe sportit, ju afërmendsh se zgjidhni jetën”, ka theksuar ajo. “Nëse qeveria do të kishte zgjidhje, natyrisht se do të zgjidhte të shpëtonte jetën tonë së pari, dhe pastaj të përkrahte sportin”.
Buhrova, me prejardhje nga qyteti8 lindor Kharkiv që ka tre vjet që po përballet me bombardimeve të rënda, ka thënë se u strehua jashtë vendit për t’i vazhduar ushtrimet. Trauma e luftës ende ndikon thellësisht tek ajo: Ka thënë se pas largimit nga Ukraina, zhurmat e fuqishme shpesh ia përkujtojnë bombardimet në vendlindje.
Pavarësisht sfidave, është e ekzaltuar dhe e vendosur.
“Jam përnjëmend e lumtur që e kam mundësinë të demonstrojë aftësitë e mia më të mira”, ka thënë ajo. “Do të mundohem ta bëj vendin tim krenar”.
Arratisje e përkohshme nga bombardimet
Anastasiya Kozhenkova, rremtare ukrainase që fitoi medalje të artë ekipore në Olimpiadën e vitit 2012, ka thënë se është arritje e jashtëzakonshme për Ukrainën vetëm që ia ka dalë të paraqitet në Paris në kohë lufte.
“Në dimër, kishte shumë shpërthime, dhe ishte e frikshme sepse pavarësisht ushtrimeve, nuk e dije nëse do të ia dilje të merrje pjesë në Lojërat Olimpike, apo jo”, ka thënë ajo.
Kozhenkova ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, iu drejtua ekipit online të mërkurën, duke iu uruar sukses dhe theksuar se pjesëmarrja e tyre do ta ndihmonte vendin të marrë pak frymë prej realitetit të ashpër të luftës.
Kozhenkova shpreson se do të ketë më pak reduktime të rrymës dhe më pak bombardime që bashkatdhetarët në Ukrainë të mund t’i përcjellin garat.
“Do të ketë një frymëmarrje të vogël për vendim tim”, ka thënë ajo. “Mbase nëse do të ketë rrymë dhe njerëzit do të mund të festojnë, do të përjetojnë emocione pozitive”.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com