Për arsye teknike shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte, Millosh Pleskoviq

Arsyet teknike për dëgjimin e dëshmitarit anonim F1 kanë pamundësuar vazhdimin e gjykimit ndaj të pandehurit Millosh Pleskoviq, i cili akuzohet për “krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë”, në zonën e Prizrenit.

Seanca e 14 marsit 2025 ishte përcaktuar për dëgjimin e dëshmitarit anonim F1, por që gjyqtari Rrahman Beqiri ka njoftuar se zyrtari i Gjykatës e kishte njoftuar që nuk ka kushte teknike për dëgjimin e dëshmitarit, për arsye teknike.

“Sot, më 14.03.2025, nga një zyrtar i Gjykatës, konkretisht Jeton Dakaj jam njoftuar se nuk ka kushte teknike për me dëgjua dëshmitarin anonim, në e-mail nuk ka arsye konkrete, përveç se nuk ka kushte teknike që të dëgjohet dëshmitari.” – ka thënë Beqiri.

Gjyqtari Beqiri tha se brenda ditës ka mundësi që të mundësohet dëgjimi i dëshmitarit të njëjtë.

Por, që avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq ka thënë që nuk mund të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit anonim, për arsye se deklarata e dëshmitarit i është dorëzuar një ditë para seancës, e jo tetë ditë – siç kishte kërkuar Gjykata që t’i dorëzohet deklarata.

Kurse prokurori Ilir Morina ka shprehur shqetësimin e tij se në momentet e fundit ka njoftim që për arsye teknike nuk mund të dëgjohet dëshmitari, kurse lidhur me pretendimin e avokates se i është dorëzuar me vonesë deklarata ka thënë se ka marrë kohë redaktimi i deklaratës, pasi e njëjta është dashur të përkthehet në gjuhën serbe nga gjuha shqipe.

Në këto rrethana, gjyqtari Rrahman Beqiri ka marrë vendim për shtyrje të seancës.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë një konflikti me karakter jondërkombëtar të zhvilluar mes pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) e forcave policore të Serbisë, i pandehuri Millosh Pleskoviq, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil – duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë Aktakuzë forcat policore dhe ushtarake të RFJ dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.

Sipas Aktakuzës, rreth datës 01.09.1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit, Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje, derisa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 personave të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore dhe ushtarake, me shirita në krahë e në kokë dhe njëkohësisht ishin të armatosur me armë të gjata automatike, e të cilët fillimisht i kishin urdhëruar që të ndaleshin; pastaj i kanë fyer në gjuhën serbe.
Tutje sipas Aktakuzës, në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “Kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri B.D., e ka shtyrë me krah të dëmtuarin Xhenger Cana – duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup.

Gjithnjë sipas Aktakuzës, të dëmtuarit, Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat, tani të ndjerit: B.D. dhe R.D. dhe F.B., kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave, ashtu që pas një jave, me lejen e Policisë serbe, familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve: R.D., B.D. dhe F.B., te te cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që R.D. dhe B.D. ishin vendosur njëri mbi tjetrin; njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi, kurse viktima F. nuk e kishte pasur kokën në trup.

Në bazë të akuzave të lartcekura ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast, mund t’i gjeni në këtë: LINK.