Rektorati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, çështja e konkursit të Sekretarit s’është urgjente

Dy mbledhje të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk arritën të mbahen, pasi katër anëtarët e KD që vijnë nga UP-ja nuk morën pjesë në këto mbledhje, ku një prej pikave të rendit të ditës ishte diskutimi për konkursin për sekretar të UP-së.

Për këtë konkurs Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës, ditë më parë kishte dhënë opinion se nuk duhej të ishte i brendshëm, por i jashtëm.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit që vijnë nga Ministria e Arsimit deklaruan në këto dy mbledhje se anëtarët nga UP-ja në arsyetimin e tyre për mos pjesëmarrje kanë thënë se nuk marrin pjesë pasi janë duke u mbajtur zgjedhjet për anëtarë të ri të Këshillit Drejtues të UP-së nga ana e universitetit.

Këshilli Drejtues është organi kryesor qeverisës i universitetit. Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote, ndërsa senati zgjedh pesë anëtarë të këshillit drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i universitetit.

KALLXO.com ka kontaktuar katër anëtarët nga Universiteti që nuk kanë marrë pjesë në dy mbledhjet e fundit.

Bedri Bahtiri, njëri nga anëtarët e kontaktuar tha se nuk ka pasur asnjë pike urgjente në rend dite që të mbahen ato mbledhje.

“Vlerësoj se nuk ka asnjë pike urgjente në rend dite dhe ne si grup kemi kërkuar që mbledhja të mbahet pas përfundimit të disa aktiviteteve të ngjeshura dhe zhvillimeve që kemi secili nga ne ditët e kaluara dhe ditët ne vijim, ndërsa unë kisha obligime tjera të përcaktuara kohë më parë, pasi që thirrja e këtyre dy mbledhjeve të rregullta të fundit, është bërë jashtë ditës që e kemi të caktuar dhe jashtë itinerarit të zakonshëm”, tha Bahtiri.

Sipas tij, lidhur me mungesën e tyre kanë qenë në dijeni ata që duhet të jenë.

“Ndërsa të gjitha pikat e dakorduara nga të gjithë anëtarët e KD-së, të përcaktuara në rend dite, do të trajtohen në mbledhjen e javës se ardhshme, duke i analizuar me qetësi dhe pa nguti”, tha ai më tej.

Bahtiri shtoi se tek konkursi për sekretar të UP-së nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, pasi sipas tij,  tashmë edhe konkursi është pezulluar “nga ata që e kanë shpallë atë konkurs muaj më parë”.

“Vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për shqetësim të askujt, pasi që është imperativ për secilin, respektimi i të gjitha dispozitave të Kushtetutës, Ligjit për Arsimin e Lartë, Ligjit për Zyrtarët Publik, Statutit të UP-së dhe aktet tjera nënligjore, si dhe respektimi i të gjitha procedurave që përcaktohen me to”, tha Bahtiri më tej.

Anëtari i KD të UP-së tha se “çdo devijim nga aktet juridike, tërheq pas vetes pavlefshmërinë e çdo veprimi juridik dhe për këto raste nëse konstatohen se janë të kundërligjshme, nuk ka nevoje as vendimmarrje fare”.

“Sepse lidhur me to veprohet ex-lege, por ne nuk predikojmë asgjë derisa të analizojmë dhe diskutojmë bashkërisht secilin detaj, si trupe e përbashkët kolegjiale e përberë nga 9 anëtarë, siç është KD-ja”, tha Bahtiri

Sipas tij, ata nuk kanë asgjë konkrete dhe urgjente para vetes që t’i lënë anash angazhimet e tjera në Universitet.

“Ne nuk kemi asgjë konkrete dhe as urgjente para vetes që na bën të besojmë se duhet të shtyjmë provimet, konsultimet dhe aktivitetet tjera me studentët tanë, apo të anulohet pjesëmarrja e konfirmuar në simpoziume shkencore ndërkombëtare, për të marre pjesë në mbledhjet e thirrura ditëve të kaluara”, tha Bahtiri.

Bahtiri shton se një nga anëtarët nga UP është duke marrë pjesë në një simpozium shkencor ndërkombëtar dhe nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në mbledhje.

“Gjë e cila tregon se arsyet e mungesave janë plotësisht legjitime për shkak të angazhimeve tjera dhe pikat në rend dite që janë vendosur, të gjitha janë trajtuar në një formë apo tjetër edhe në të kaluarën dhe do të diskutohen edhe në mbledhjen e radhës, e cila besoj se do të thirret ditën e enjte të javës se ardhshme”, tha ai më tej.

Ai shtoi se në mbledhjen e ardhshme “do të jenë në nivel të detyrës”, por sipas tij, nuk do të bien pre e asnjë presioni.

“Ne jemi dhe do të jemi në nivel të detyrës si gjithmonë për aq sa kemi mandat, por as në të kaluarën, e as në të tashmen, apo në të ardhmen, ne nuk punojmë dhe as nuk i nënshtrohemi presioneve të askujt për asgjë dhe gjithë energjinë tonë e shkrijmë në të mirë të Universitetit dhe respektimit të ligjshmërisë në të, gjë për të cilën janë dëshmitarë të gjithë”, tha Bahtiri në fund.

KALLXO.com ka raportuar më 20 qershor se mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së dështoi të mbahej për herë të dytë, për shkak të mungesës së kuorumit.

Mbledhja dështoi pasi anëtarët e Këshillit Drejtues nga ana e UP-së nuk ishin në mbledhje.

Në këtë mbledhje pikë e rendit të ditës ishte konkursi për sekretar të UP-së.

As në mbledhjen e kaluar anëtarët e KD nga UP nuk morën pjesë, kështu duke pamundësuar diskutimin dhe mbajtjen e mbledhjes për këtë çështje dhe pika të tjera.

KALLXO.com ditë më parë ka raportuar se Komisioni Vlerësues që ishte formuar për pozitën e Sekretarit të UP kishte pezulluar punën derisa kjo çështje të trajtohet nga Këshilli Drejtues.

Kjo ka ndodhur pasi Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës kishte dhënë një përgjigje për Këshillin Drejtues se ky konkurs do të duhej të ishte i hapur dhe jo i brendshëm.

Pezullohet në fazën e intervistimit konkursi për Sekretar të UP-së

.