Për 3 muajt e ardhshëm KOSTT do të paguajë 4 milionë euro për energjinë elektrike të shpenzuar në veri

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) për tre muajt e ardhshëm do të paguajë 4 milionë euro për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Në qoftë se i referohemi një periudhe të ardhshme 3 mujore projeksionet janë rreth 4 milionë euro për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës. Konsumi i energjisë elektrike në muajt e verës pritet që të jetë më i ulët”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.

Sot Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, i ka miratuar rekomandimet e Komisionit parlamentar për Ekonomi, që KOSTT të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Këtë do ta bëjë duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, pra këto mjete do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.

“Shfrytëzimi i mjeteve të KOSTT, sipas rekomandimit të Komisionit për një periudhë të paraparë tranzitore 6 mujore brenda së cilës parashihet që të zgjidhet çështja e veriut, mund të bëhet nga fitimet e akumuluara të KOSTT ndër vite”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.

KOSTT thekson që është e drejtë e patjetërsueshme që të gjithë qytetarët e Kosovës të furnizohen me energji elektrike por edhe obligim i qytetarëve që të paguajnë shërbimin e pranuar.

“Andaj, zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të vendit, e cila e zgjidh problemin e furnizimit dhe arkëtimit në një afat të shkurtër është e domosdoshme”, përfundon përgjigja e KOSTT-it për KALLXO.com.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim.

“Të gjitha dokumentet që kërkohen me Rregullën për licencimin e aktiviteteve të energjisë janë dorëzuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Edhe pse kanë kaluar rreth 4 muaj që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar për shkak se bordi i ZRrE-së është jofunksional.

“Sa i përket kritereve dhe përmbajtjes së dokumenteve ato duhet të shqyrtohen edhe nga Bordi i ZReE-së, i cili akoma nuk është funksional. Nga aspekti administrativ dosja do të jetë e gatshme,  por i përket Bordit të vendos për prioritetet dhe Agjendën e seancave të tij”, vazhdon përgjigjja e ZRrE-së.

Qeveria Kurti 2 ka shpallur konkurs për zgjedhjen e dy anëtarëve dhe kryesuesit të bordit të ZRrE-së. Ata nuk kanë vazhduar me emrat që ishin propozuar në Qeverinë e kaluar.

Energjia elektrike e shpenzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kap shumën prej 12 milionë euro. Që nga paslufta deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës, ku faturat e tyre ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Vetëm në vitin 2017, sipas një përgjigjeje të KOSTT për KALLXO.com, operatori serb EMS kishte inkasuar 9.6 milionë euro.

“Konkretisht për vitin 2017 në mënyrë të kundërligjshme EMS ka inkasuar 9.6 milion euro”, thuhej në përgjigjen e KOSTT.

Nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në mënyrë të kundërligjshme Serbia ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit dhe konsiderohet se ka grumbulluar rreth 65 milionë euro të hyra.

Kujtojmë se Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë.

Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.

Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inaguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash.