Për 24 orë vaksinohen vetëm 607 qytetarë

Ekspertët thonë se vaksina kundër Coronavirusi është “arma” e vetme për të luftuar pandeminë SARS-CoV-2, por në Kosovë interesimi për vaksinim nga ana e qytetarë është zbehur.

Javë më parë, në Kosovë, brenda 24 orëve vaksinoheshin me mijëra qytetarë, ndërsa sot, numri i të vaksinuarve ka rënë në numër tre shifror.

Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se brenda 24 orëve janë vaksinuar vetëm 607 qytetarë në nivel vendi.

“Deri më sot 761 mijë e 595 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftimin e ministrisë, përderisa thuhet se janë administruar mbi 1,6 milion doza të vaksinave që nga 29 marsi i këtij viti kur edhe ka filluar vaksinimi në Kosovë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë një person konsiderohet i vaksinuar komplet në momentin që i merr dy dozat e vaksinave.

Në anën tjetër statistikat e publikuara në ueb faqën e Ministrisë së Shëndetësisë, bëjnë të ditur se 47% e qytetarëve janë vaksinuar me dy doza të vaksinave anti-COVID, përderisa 53 % e qytetarëve janë vaksinuar me vetëm një dozë të vaksinës.

Sa i përket përqindjes së të vaksinuarve në bazë të gjinisë, gjinia femërore dominon me 51% të të vaksinuarve ndërsa nga gjinia mashkullore janë të vaksinuar 49%.

Në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinave, “Pfizer” dhe “AstraZeneca” dhe të gjithë qytetarët mund të vaksinohen pa bërë termine, ndërsa të gjitha dozat e vaksinave të dhëna për qytetarë regjistrohen në sistem.

Aktualisht në Kosovë janë 320 raste aktive me SARS-CoV-2.

Më 13 mars të vitit të kaluar në Kosovë janë paraqitur dy rastet e para me SARS-CoV-2 dhe për më shumë se një vit në Kosovë janë prekur 161 mijë e 83 raste pozitive me COVID-19, përderisa 2 mijë e 983 kanë vdekur.

Nga turmat te lutjet – zbehet interesimi i kosovarëve për vaksinën anti-COVID