Për 24 orë prokuroritë në Kosovë ngritin aktakuza kundër 36 personave

Zyra e Prokurorit të Shtetit ka njoftuar se në 24 orët e fundit, janë ngritur 36 aktakuza, kundër 39 personave për vepra të ndryshme penale, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar 15 persona.

Sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit gjithashtu janë paraqitur gjashtë kërkesa për caktimin e paraburgimit kundër shtatë personave dhe janë ndaluar pesëmbëdhjetë persona.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur një aktakuzë kundër një personi për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ndaluar katër persona. Pos kësaj, është paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të dyshuar, si dhe janë ka ngritur 18 aktakuza kundër 21 personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar dy persona të dyshuar, si dhe ka paraqitur një kërkesë për caktimin e paraburgimit për një qytetar.

Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar tre persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një personi dhe ka ngritur tetë aktakuza kundër tetë individëve.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar tre qytetar të dyshuar, ka bërë dy kërkesa për caktimin e paraburgimit për dy persona, si dhe ka ngritur tri aktakuza kundër tre të tjerëve për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një person të dyshuar, ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një personi, si dhe, ka ngritur gjashtë aktakuza kundër gjashtë personave, për vepra të ndryshme penale.

Në total, nga shtatë Prokuroritë Themelore në 7 qytetet më të mëdha të Kosovës, janë ngritur 36 aktakuza ndaj 39 personave.