Për 24 orë çmimi i vajit u rrit për gati 1 euro (FOTO)

Në vazhdën e rritjes së çmimeve të naftës, rritje e vazhdueshme e çmimeve po vërehet edhe tek disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Përderisa gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com raportoi se çmimi i një litër vaj ushqimor ishte deri në 2,29 euro, sot ky çmim shkon deri në 3,49 euro.

Vaji i cili konsiderohet si një prej produkteve esenciale në shportën e konsumatorit, sot sillet me çmim prej 1,99 euro deri në 3,49 euro.

Në disa prej dyqaneve në Kosovë, afër paketimeve dhe shisheve të vajit janë parë disa mbishkrime që sasia e tyre është e limituar. Konsumatorëve po ju lejohet që të blejnë prej një deri në katër copë.

Çmimi i vajit ushqimor, 10.03.2022/ Foto: KALLXO.com.
Çmimi i vajit ushqimor, 09.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Sa i përket miellit, çmimi për një kilogram varion nga 0.79 centë deri në 0.82 centë.

Një kilogram sheqer mund të blihet nga 0.85 euro deri në 0.97 euro.

Lidhur me rritjen e çmimeve të bukës dhe miellit, Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, dje tha se çmimet aktuale të tregut që janë në Kosovë janë shumë më të lira se në rajon.

Ndërsa Muhamet Farizi nga kjo shoqatë tha se sot kanë pasur një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe kanë konstatuar se Kosova ka sasi të konsiderueshme të grurit.

“Ka sasi të konsiderueshme që edhe për tre muaj tjerë të bluhen dhe të furnizohet popullata”, ka thënë Farizi

Ata kanë thënë Kosova nuk importon grurë dhe miell nga Rusia dhe Ukraina.

Ndërsa Kosova në vitin 2021 ka importuar 300 milionë euro mallra nga Serbia, shumica prej tyre janë drithëra. Dje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka nënshkruar dekretin me të cilin është pezulluar eksporti i miellit, misrit dhe vajit.

Çmimi i sheqerit. 10.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Derisa dje një kilogram kripë kishte çmim prej 0.32 centë, sot ky çmim sillet nga 0.29 deri në 0.39 centë.

Çmimi i kripës. 10.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Përveç rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, në pikat e karburanteve në Kosovë çmimi i naftës ka shënuar rritje rekorde në ditët e fundit.

Pëderisa dje KALLXO.com raportoi çmimet e naftës shkonin deri në 1.75 euro, sot çmimet e naftës sillen prej 1.65 euro deri në 1.82 euro.

Lidhur me ndikimin e rritjes së çmimeve të këtyre produkteve në jetën e qytetarëve të Kosovës, profesori i ekonomisë Safet Gërxhaliu në një përgjigje për KALLXO.com, dje tha se kjo krizë e ka zanafillën qysh nga pandemia COVID-19.

“Është e vërtetë që Kosova ka hyrë në krizë dhe kjo rëndon jetën në Kosovë. Kemi ngritje të pakontrolluar dhe kjo më shumë mbron interesin e tregtarëve sesa të qytetarëve dhe të kihet parasysh fakti që pagat janë pothuajse të ngrira. Kjo është një situatë qe e alarmon qytetarin e Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Ai shtoi se është koha për të gjetur mënyra që të dalim nga kjo situatë dhe tha se kjo krizë në Kosovë nuk po trajtohet me seriozitet.

Gërxhaliu për KALLXO.com tha nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje mund ta shtohet numri i familjeve skamnore në Kosovë.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin shkurt 2022 në Kosovë çmimi për një litër vaj ishte 1.69 euro, çmimi për një kilogramë miell ishte 0.66 euro, ndersa çmimi për një kilogram sheqer 0.87 euro.