Për 10 muaj, 12 fëmijë të strehuar në SOS-Fshat

Në Kujdesin Alternativ në kuadër të SOS-Fshatit gjatë dhjetë muajve të vitit 2019 janë pranuar 12 fëmijë të braktisur.

Fëmijët që nuk adoptohen ose ribashkohen me familjet e tyre deri në moshën 18 vjeçare marrin kujdes të mëtutjeshëm nga organizata, tha për KALLXO.com, Besnik Peci, udhëheqës i Kujdesit Alternativ në këtë institucion.

“Nëse deri në moshën 18 vjeçare ata nuk arrijnë të adoptohen apo të ribashkohen me familjet e tyre biologjike ata mandej do të marrin kujdes edhe më tutje nga ne duke i përfshirë në programin e gjysmëpavarësimit ku SOS është organizata e vetme në Kosovë që e ofron këtë kujdes për të rinjtë në nevojë të kësaj grupmoshe”, tha Peci.

Fëmijët e strehuar në SOS-Fshat vijnë me kërkesën e Qendrave për Punë Sociale  dhe pas shqyrtimit nga Komiteti  i Pranimit të Fëmijëve ata merren nën  kujdes nga organizata.

Besnik Peci thotë se ekziston stafi profesional dhe i licencuar për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare.

Stafi  përbëhet nga SOS Nëna, SOS Tezja, pedagogu, psikologu dhe punëtori social që merren me nevojat dhe problemet e fëmijëve.

Aktualisht 59 fëmijë gjenden në Kujdesin Alternativ, shërbim që ka për qëllim qasjen familjare për përkujdesje afatshkurtër dhe afatgjatë të fëmijëve të braktisur dhe fëmijëve që kanë humbur kujdesin prindëror.

Në kujdesin afatshkurtër për foshnjat “Dielli” janë strehuar gjashtë fëmijë. Ky program merret me fëmijët nga mosha 0 deri 3 vjeç.

Ndërsa në SOS Familje gjenden 39 fëmijë. Ky program u ofron fëmijëve pa përkujdesje prindërore një shtëpi dhe familje duke i  përgatitur ata për një jetë të pavarur.

Në Shtëpinë e Rinisë marrin përkujdesje katër fëmijë dhe dhjetë të rinj në programin  e Gjysmë-Pavarësimit. Kjo shtëpi merret me fëmijët mbi moshën 14 vjeçare ndërsa qëllimi i këtij programi është që të rinjtë të fillojnë përgatitjet për jetën e pavarur, prej aspektit emocional të shkëputjes nga SOS deri te aftësimi profesional.

Grupmoshat e tyre ndryshojnë nga 21 ditë deri në 21 vjet ndërsa vajzat dominojnë në numër, thotë Besnik Peci.

Sipas udhëheqësit alternativ, organizata merr shërbime nga komuniteti dhe institucionet përgjegjëse që ofrojnë shërbime specifike në Kosovë.