Për 1 vit, Komuna e Pejës harxhoi më shumë se 65 mijë euro në dreka dhe darka

Komuna e cila drejtohet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së vetëm për dreka dhe darka zyrtare brenda vitit 2019 shpenzoi mbi 65 mijë euro.

Këtë e ka konfirmuar vetë komuna në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

“Dreka zyrtare të shpenzuara gjatë vitit 2019 janë: 65,502.69€”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Pejës.

Kjo komunë ka 30 vetura zyrtare. Të gjitha këto, por edhe të OJQ-ve të cilat financohen nga komuna, vetura e dializës, të zjarrfikësve dhe autoambulancat, brenda vitit 2019, shpenzuan 149 mijë e 25 euro për karburante.

Ndërsa, vetë kreu i Komunë së Pejës, Gazmend Muhaxheri i shpenzoi 2982 litra naftë gjatë vitit 2019.

Gati aq litra naftë harxhoi edhe numri dy i Pejës, Fatmir Asllani, plot 2591 litra.

Në një përgjigje me shkrim, komuna ka treguar edhe për shpenzimet e telefonit nga kryetari, nënkryetari dhe drejtorët e komunës.

“Shpenzimet e telefonit për Kryetarin dhe Nënkryetarin janë pako nga 54€ në muaj, e cila nuk mund të tejkalohet dmth 54 x 12 = 648€ në vit, për Kryetarin dhe Nënkryetarin. Shuma e mbetur e pashpenzuar, baret në muajin vijues. Sa i përket drejtorëve, ata përdorin pakon me mbushje mujore në vlerë prej 25€, apo 300€ në vit. Poashtu, as kjo pako nuk mund të tejkalohet”, thuhet në përgjigje.

Një hulumtim të gjatë mbi punën dhe mos punën e Gazmend Muhaxherit në krye të Pejës mund ta lexoni më poshtë:

Lotët e Gazit që nuk ia sollën investimet në turizmin e Pejës

www.kallxo.com