Pensionistët dhe përfituesit e skemave sociale nuk kanë nevojë të paraqiten për evidentim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bën të ditur se kreu i këtij dikasteri qeveritar, Hekuran Murati, ka marrë sot vendim që të pezullohet obligimi për riaplikim dhe reduktimi i procedurave për njohjen e së drejtës për ndihmë sociale për familjet të cilat duke filluar nga muaji prill 2021 kanë afatin për riaplikim.

Në njoftim thuhet se nuk kanë nevojë të paraqiten edhe përfituesit e skemave pensionale e të tjera.

“Gjithashtu, lirohen nga paraqitja e rregullt për qëllime të evidentimit apo lajmërimit përfituesit e skemave pensionale dhe kategoritë e tjera të përfituesve që janë të obliguar të paraqiten në zyrat përkatëse”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas njoftimit, ky vendim është i vlefshëm deri në vendimin e radhës dhe i njëjti mund të rishikohet duke pasur parasysh rekomandimet dhe/ose vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.