Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.
Pengimi i gazetares së KALLXO.com nga shefi i kabinetit të Erden Atiqit, reagon AGK-ja
Visar Syla, shefi i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiqit, ka penguar gazetaren e KALLXO.com, Florinda Kelmendi, në kryerjen e detyrave të saj si gazetare, të mërkurën, më 02.10.2024.
Lidhur me këtë rast ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili e ka dënuar veprimin e zyrtarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagon me shqetësim lidhur me veprimin pengues të shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut drejt gazetares së Kallxo.com Florinda Kelmendi dhe gazetares së Telegrafit, Blinera Mehmeti”- thekson AGK.
Tutje, AGK u ka bërë thirrje zyrtarëve shtetërorë të shmangin veprime të tilla që cenojnë punën e gazetarëve duke përmendur edhe raportet matëse ndërkombëtare për lirinë e mediave.
“AGK bën thirrje që zyrtarët shtetëror të shmangin veprime të tilla që cenojnë punën e gazetarëve dhe rikujton gjendjen e rënduar të lirisë së medias në vend, që evidentohet edhe në raporte të matësve kredibil ndërkombëtar sikurse Reporterët pa Kufij, ku Kosova ka shënuar rënie prej 19 vendesh”- thuhet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.
Gazetarja Florinda Kelmendi ishte duke raportuar nga Mitrovica e Veriut, kur Policia e Kosovës arrestoi politikanin serb, Aleksandar Arsenijeviq, i cili kishte fishkëllyer gjatë kohës sa Atiq po pinte kafe në një lokal në Mitrovicë të Veriut.
Derisa gazetarja Florinda Kelmendi po xhironte shoqërimin Aleksandar Arsenijeviqit, Visar Syla i afrohet afër dhe ia vendos dorën në telefonin e saj duke mos e lejuar dokumentimin e ngjarjes.
“Derisa unë po xhiroja arrestimin e Aleksandar Arsenijeviq, shefi i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Visar Syla ka vendosur dorën në kamerën e telefonit tim dhe më ka thënë ‘mos xhironi!’. Unë i kam thanë që detyrë e kemi. Njëjtë ka penguar edhe punën e koleges gazetare nga Telegrafi.com” – tha gazetarja Florinda Kelmendi.
Këtë rast KALLXO.com do ta raportojë edhe në organet e rendit.