Pengesat në trotuarin e rrugës ‘Mustafa Venhari’ në lagjen Dardania, pengesë për banorët
Banorët e rrugës “Mustafa Venhari” në lagjen Dardania të Prishtinës, thonë se pengesat e vendosura nga Komuna e Prishtinës dhe Ndërmarrja Publike Banesore, afër trotuarit po paraqesin probleme për ata sepse nuk kanë hapësira ku të i parkojnë veturat e tyre.
“Krejt çka kisha kërkuar nga shteti pa na ba parkingje private mos i qitni (pllakat). Bani parkingjet, qitni betonat” – thotë një banor në kushte anonimiteti.
Jahja Krasniqi, një banor tjetër i asaj lagje thotë që këto pllaka jo vetëm që pengojnë lëvizjen por nuk janë të mira as nga ana vizuale.
“Më shqetëson sepse veç me pa me sy të pengon jo ma me lëviz. Veç me pa është e keqe veç me shiku vizualisht është shumë e tmerrshme le ma me ec ka me kanë keq kur të bjen bora. Jemi në kryeqytet”- thotë Krasniqi, banor i lagjes.
Ai shton se në atë lagje nuk ka shumë qarkullim, dhe parkimi i makinave në ato trotuare nuk është problem për këmbësorët.
“Kjo pjesë e betonave nuk vlen asnjë gjë. S`di pse kanë vendos se kjo lagje nuk është e qarkullueshme shumë nuk pengojnë qytetarët shumë” – u shpreh Krasniqi.
Krasniqi përfundoi se “Sa dush qiti këto këtu ose atje këmbësoret prapë nuk ecin. Ecin mesit a po e sheh. Banorët s`kanë ku e lajnë kerrin ja duhet me lan në bari ja me shit”.
Drejtoria për Shërbime Publike dhe Mbrojtje Emergjente, për KALLXO.com kanë thënë se pllakat në rrugën “Mustafa Venhari” janë vendosur me 06.09.2024.
Vendosja e këtyre pllakave është bërë sipas tyre për sigurimin e vendpunishtes pasi që ata janë duke vendosur një rrethojë për ofrimin e sigurisë së këmbësorëve në trotuar.
“Vendosja e këtyre betonave është bërë pasi që janë duke u punuar bazamentet për vendosjen e rrethojave për ofrimin e sigurisë për lirimin e hapësirave për lëvizje të lirë të qytetarëve si dhe mbrojtjen e hapësirave gjelbëruese”- thuhet në përgjigjen e drejtorisë komunale.
Sa i përket pretendimit të banorëve se pse Drejtoria nuk ka bërë një parking në atë pjesë, sipas tyre në atë pjesë nuk ka vend edhe për qarkullim të mjeteve dhe këmbësoreve dhe për krijimin e një parkingu.
“Në bashkëpunim me Ndërmarrjen Prishtina Parking do të shqyrtohet mundësia e krijimit të parkingjeve aty ku ka kushte teknike si dhe në hyrje të rrugës është i krijuar parkingu ku në shumicën e rasteve ka vende të lira, ndërsa automjetet i parkojnë në trotuar apo hapësira gjelbëruese dhe në rrugë”.
Ata shtuan se edhe më datën 26.06.2024 kanë vendosur për herë të dytë pengesat për lirimin e trotuarit, sepse janë dëmtuar nga personat e pa ndërgjegjshëm me qëllim të parkimit të automjeteve në trotuar.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), të cilët kanë thënë se ata nuk kanë bërë vendosjen e këtyre mureve mbrojtëse.
“Ndërmarrja Publike Banesore nuk është përgjegjëse për vendosjen e këtyre mureve mbrojtëse”- thuhet në përgjigjen e NPB-së.