
Gisele Pelicot,. Foto: AP
Pelicot falënderon mbështetësit pas dënimit të ish-burrit dhe 50 dhunuesve të tjerë
Dominique Pelicot, 72 vjeç, më 19.12.2024, u shpall fajtor për dhunim të rëndë, duke iu shqiptuar dënimi maksimal prej 20 vjetësh, pasi kishte droguar dhe abuzuar me gruan e tij të atëhershme, Gisele Pelicot, duke ia çuar në shtëpi dhjetëra të panjohur për ta dhunuar, ka raportuar BBC.
Gjyqtarët në qytetin francez Avignon e dënuan atë së bashku me 50 burra të tjerë, nga të cilët 47 u shpallën fajtorë për dhunim, dy për tentativë përdhunimi dhe dy fajtorë për sulm seksual.
Dënimet për burrat e tjerë varionin nga 3 (tre) deri në 15 (pesëmbëdhjetë) vjet.
Gjyqi dëgjoi se si për gati një dekadë Giseles iu dhanë pa vetëdije qetësues nga ish-bashkëshorti i saj, i cili më pas e përdhunoi dhe ftoi burra të cilët i rekrutonte në internet për seks me të në shtratin e saj në shtëpi, ndërsa ajo ishte pa ndjenja.
Gisele Pelicot iu drejtua mediave pas përfundimit të seancës, duke thënë se kurrë nuk u pendua që hoqi dorë nga e drejta e saj për anonimitet dhe “hapi dyert” e gjyqit “në mënyrë që, shoqëria të mund të shihte se çfarë po ndodhte”.
Fëmijët e Pelicotit ishin “të zhgënjyer” nga dënimet “e ulëta” – citoi Agjencia e lajmeve AFP të ketë theksuar një anëtar i familjes.
Gjyqi ka tronditur Francën e botën më gjerë dhe e ka bërë Gisèle-n ikonë feministe. Ajo u takua nga qindra mbështetës, teksa po largohej nga Gjykata. Shumë prej tyre mbanin pankarta me mbishkrime. Njëra kishte sloganin thelbësor të gjyqit: “Turpi ndryshon anët”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com