Pëlcitja e gypit që la pa ujë tash e tre ditë disa lagje në Prizren, flet kryeshefi i Hirdroregjionit
Disa lagje në Prizren që tre ditë kanë mbetur pa ujë, ndërsa kryetari i Bashkësisë së lagjes ‘’Bajram Curri’’, Pelivan Pulaj për KALLXO.com tha se ‘’Kemi ba më të mirën e mundshëm për qytetarët jemi mundu me i furnizu me ujë të pijshëm tërë natën deri në orën pesë të mëngjesit siç shihen edhe autobotet e ujit nga Hidroregjioni Jugor’’.
Për KALLXO.com ka folur edhe kryeshefin e Hidroregjionit, Jugor Fadil Berisha.
‘’Informatën për defektin në ujë e kemi marrë nga një qytetar nga pardje në orët e mëngjesit, saktësisht rreth orës gjashtë. Menjëherë i kemi informuar konsumatorët për arsyen e ndërprerjes së furnizimit me ujë. Menjëherë kemi dal në vendin e ngjarjes dhe e kemi konstatuar se ka pasur një rrjedhje të madhe të ujit, pas pastrimit dhe evidentimit të saktë të rrjedhjes kemi konstatuar se defekti ka ndodhur nën një objekt afarist me një thellësi tre metra e gjysmë’’ – kështu tha Fadil Berisha.
Duke shtuar se: “Fatkeqësisht ne kemi konstatuar se mbi gypin kryesor fi 350 milimetra ka qenë e vendosur një pusetë betoni dhe pikërisht në atë vend është konstatuar se ka ndodhur plasaritja e gypit”.
Tutje deklaroi që shkaku i thellësisë dhe kushteve teknike dhe rrezikut për shembjen e objektit afarist ata kanë ftuar organet kompetente respektivisht Inspektoriatin Komunal dhe Drejtorinë e Emergjencës të cilët kanë konstatuar dhe urdhëruar ndërprerjen e punimeve për shkak të rrezikut të shembjes së objektit.
“I kemi marrë të gjitha masat që kjo zgjidhje të realizohet duke marrë parasysh emergjencën ne kemi kontraktuar edhe një operator ekonomik për përfundimin sa më shpejtë të këtij dislokimi dhe rikthimin e ujit për banorët. – shtoi Berisha.
Zonat të cilat kanë mbetur pa furnizim si pasojë e defektit janë Lagja komplet Bajram Curri, Arbana, Jeta e Re dhe disa rrugë të tjera të cilat janë furnizuar nga ky gyp furnizues.
Berisha apeloi tek organet kompetente që të kenë kujdes gjatë dhënies së pëlqimeve ndërtimore dhe në asnjë mënyrë të mos lejohet ndërtimi i objekteve mbi gypat kryesor të furnizimit me ujë, pasi që pasojat janë tepër të mëdha që mund të jetë edhe rast i ngjashëm me tani.
Po ashtu ai kërkoi nga konsumatorët që ndërhyrjet e paautorizuara siç kanë ndodh edhe me këtë rast janë të ndaluara. Dhe të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.