Pëlcitja e bombolës në Pulmologji, flet mjeku kujdestar

Në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK ku po trajtohen pacientët me COVID-19 mbrëmë janë ngritur dyshimet se ka pëlcitur njëra nga bombolat e oksigjenit dhe si pasojë është lënduar një paciente.

 

Sipas mjekut kujdestar, Shpëtim Thaçi, pacientja në fjalë ka pësuar djegie në dorë dhe në pjesën e kraharorit por gjendja e saj është e mirë.

“Gjendja e pacientes momentalisht është e mirë, ka pësuar djegie të parakrahut dhe dorës. Ekipi kujdestar ka konsultuar kirurgun plastik dhe është bërë mjekimi adekuat për sa i përket djegieve, ndërsa sa i përket aspektit të COVID-it për çka është e shtrirë pacientja te ne, është në gjendje stabile me një saturim mbi 94 është me oksigjeno-terapi një deri në dy litra në minutë”, tha doktori Thaçi.

Ai tha se pritet që pacientes gjatë javës t’i bëhet testi dhe pas përmirësimit të gjendjes të transferohet në Kirurgji plastike për evoluim të mëtejmë të djegieve.

Pacientja është duke u trajtuar në këtë klinikë tash e 12 ditë pasi ishte infektuar me coronavirus.

Sipas mjekut, pacientja do të vazhdojë trajtimin në Klinikën e Dermatologjisë për plagët e marra nga pëlcitja e bombolës pasi të shërohet nga COVID-19.

Në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK janë duke u trajtuar 94 pacientë, prej tyre 80 janë me oksigjeno-terapi. 20 pacientë janë në pritje të rezultatit për coronavirus.

Pulmologu tha se 50 % e pacientëve të cilët janë duke u trajtuar me oksigjen janë në gjendje të rëndë por klinikisht janë stabil.

Përveç rritjes së rasteve me COVID-19 në vend problemi qëndron edhe te mungesa e stafit shëndetësor për shkak të infektimit të tyre nga virusi.

“Është e vërtetë që kemi mungesë për shkak se momentalisht kemi afër 20 infermierë në Klinikën e Pulmologjisë, disa prej tyre kanë rezultuar negativë dhe janë kthyer në punë”, tha Thaçi.

Ndërsa pacientët shprehen të kënaqur me kujdesin që stafi shëndetësor ua ofron në këtë klinikë.

“I falënderoj shumë. Jemi ardhë shumë të liga, na kanë përmirësu shumë se kemi ba mend që dalim prej këtuhit. Buka po na pëlqen, shërbimi po na pëlqen, gjitha të mirat”, shprehet njëra nga pacientet.

Deri sot, në Kosovë janë 9,474 persona të prekur me coronavirus. Prej tyre 5,190 janë shëruar ndërsa 269 kanë vdekur.