Pëlcet një gyp i ujit, Prokuroria Speciale mbetet pa energji elektrike
Në objektin e Prokurorisë Speciale, të mërkurën, më 14.08.2024, është ndërprerë energjia elektrike si pasojë e pëlcitjes së një gypi të ujit jashtë ndërtesës.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i KEDS-it, Lulëzim Krasniqi, i cili tha se, meqenëse uji ka depërtuar brenda objektit, për çështje sigurie është ndalë rryma deri sa të rregullohet problemi.
“Derisa ka ujë aty, (në Prokurorinë Speciale) edhe rrymë andej pari nuk duhet të ketë. Kështu që KEDS-i ka ndërprerë rrymën për shkaqe të sigurisë. Në momentin që ata e rregullojnë çështjen e ujit, KEDS-i e lëshon rrymën” – tha Krasniqi.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësen e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Prishtinë, Arjeta Mjeku.
Ajo tha se ekipet teknike kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin.
“Prej orës 14:30 ekipet tona teknike janë në vendin e ngjarjes sepse janë duke u marrë me sajimin e defektit, sepse gypi ka shpërthyer jashtë, por uji ka depërtuar edhe brenda.” – tha Mjeku.