Ilustrim

Pejë, vjehrri dyshohet se ngacmoi seksualisht renë, ndërsa djali se e rrahi gruan e tij

Dy të dyshuar nga Peja janë arrestuar nën dyshimet se kanë ngacmuar seksualisht dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.

Të arrestuarit janë babë e bir, ndërsa viktima është gruaja e djalit të arrestuar.

I arrestuari i parë është ndaluar nga Policia nën dyshimin se ka ka ngacmuar seksualisht nusen e djalit të tij.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori i rastit, Ersan Qavolli.

Prokurori Qavolli tha se ndaj të dyshuarit të parë është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

I njëjti dyshohet së në vazhdimësi e ka ngacmuar të dëmtuarën duke i kërkuar marrëdhënie seksuale, më qëllim që ajo të mbetet shtatzënë.

Me urdhër të prokurorisë është arrestuar edhe bashkëshorti i të dëmtuarës, ndërsa edhe ndaj tij Prokurori i rastit ka paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit.

I dyshuari i dytë që është bashkëshorti i viktimës, po dyshohet që ka goditur bashkëshorten me grushte në buzë, sy, kokë, shpinë dhe i ka shkaktuar dhunë psikologjike, duke e detyruar të marrë edhe qetësues.

Më këto veprime babai dyshohet të këtë kryer veprën penale ngacmim seksual, ndërsa djali që është edhe bashkëshorti i viktimës për veprën penale të dhunës në familje.

Gjykata në Pejë pritet që nesër të marrë një vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë për  paraburgim.