Pejë, shtetases së Shqipërisë i vidhet çanta me para e dokumente, 3 të arrestuar

Policia e Pejës ka njoftuar se sot ka arrestuar tre të dyshuar, njëri për vjedhje e dy të tjerët për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale.

Sipas Policisë, një qytetare – shtetase e Shqipërisë, ka raportuar sot pak pas mesnate në stacionin policor të Pejës se mbrëmë rreth orës 21:45 ishte ndalur ne rrugën ’Adem Jashari’ dhe kishte hyrë në një market, veturën e saj e kishte lënë të parkuar afër marketit dhe në veturë kishte pasur çantën e saj personale.

Pasi ka dalë nga marketi ka hyrë në veturë, ka vërejtur se i mungon çanta që e kishte pasur aty.

Viktima në çantë ka pasur të holla dhe dokumente si në vijim, 2500 franga dhe 500 euro, dokumentet e makinës, patentë shoferin, dhe pasaportën e Republikës së Shqipërisë.

Njësiti i hetimeve, stacioni policor Pejë, menjëherë ka vazhduar intensivisht me veprimet hetimore, me ç‘rast sot rreth orës 4:00 në një lokal është arritur të identifikohet, arrestohet i dyshuari i rastit të iniciuar të veprës së vjedhjes – T.B. lindur në vitin 2001, së bashku me dy persona të dyshuar për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

Të arrestuarit për dhënie të ndihmës janë Sh.J., i lindur në vitin vitin 1993 dhe E.E. (1997), të cilët pas intervistimit nga hetuesit janë liruar me vendim të prokurorit të shtetit.

Ndërsa, i dyshuari për vjedhje me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.