Qendra e qytetit të Pejë - Foto: Atdhe Mulla

Pejë: Rritet numri i personave që nuk respektojnë masat

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, ka njoftuar se që nga fillimi i lehtësimit të masave ndaj COVID-19, është shtuar numri i qytetarëve që nuk kanë respektuar vendimet e qeverisë.

“Që nga data 04.05.2020 kanë hyrë në fuqi masa lehtësuese të veprimit për parandalimin e sëmundjes COVID-19, mirëpo kohëve të fundit është vërejtur numër i shtuar i qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar vendimet e Institucioneve të vendit, për të cilat Policia dhe Inspektorët komunal janë obliguar që të iniciojnë procedura ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit vetëm  gjatë kësaj jave janë iniciuar 8 raste, ndërsa që nga 4 maji janë iniciuar 11 raste për mosveprim sipas dispozitave ligjore.

“Nga data e lehtësimit të masave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, kur ka filluar faza e parë e deri me sot, janë iniciuar 11 (njëmbëdhjetë) raste Mosveprim sipas Dispozitave Shëndetësore gjatë Epidemisë ndërsa vetëm gjatë kësaj jave janë iniciuar 8 (tetë) raste. Personat e dyshuar janë arrestuar dhe në shumicën e rasteve Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimi për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa për mosrespektime të orarit si dhe mos bartje të pajisjeve mbrojtëse Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë bënë të ditur se janë proceduar 189 raste.

“Po ashtu, për mos respektim të orarit të lëvizjes, mos bartje të pajisjeve mbrojtëse (maska, doreza) dhe për mos mbajte të distancës – janë proceduar 189 (Njëqind e tetëdhjetë e nënte) raste”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje në këtë njoftim, policia ka bërë apel tek qytetarët që të vazhdojnë respektimin e masave ndaj COVID-19 të vendosura nga institucionet e vendit.

“Andaj apelojmë tek qytetarët që të tregojnë vetëdije dhe përgjegjshmëri të lartë qytetare në respektimin e masave parandaluese te vendosura nga institucionet e vendit edhe gjatë kësaj faze dhe në të ardhmen në mënyrë që të kalojmë së bashku ketë situatë pandemie”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 945 raste më COVID-19, nga ta janë shëruar 690 persona, ndërsa 226 raste vazhdojnë të jenë aktive.

Ndërsa vetëm në Komunën e Pejës janë konfirmuar 74 raste më COVID-19, dy persona kanë vdekur, ndërsa aktive vazhdojnë të mbeten 72 raste.