Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Pejë, qytetarët ankohen për rritje të çmimeve për barna të COVID-19, barnatoret thonë se ‘faji’ është te furnitorët

Qytetarë të nga komuna e Pejës kanë raportuar për rritje të çmimeve për barna që përdoren për trajtimin e COVID-19.

Barnave si ‘Nimedine’, ‘Fraxiparin’, ‘Citerol’, apo ‘Pancef’, qytetarët janë ankuar se u janë rritur çmimet.

Çmimet e barnave janë rritur veçanërisht në dy javët e fundit

Në barnatoren Index Pharm’ në Pejë, thonë se rritja është për shkak të rritjes së çmimit nga furnitorët pasi, sipas tyre, ata i caktojnë çmimet.

“Tash varet se cilat barna, sepse ka barna që përdoren për COVID-19, mirëpo përdoren edhe për sëmundje të tjera. Përshembull Fraxiparinen e kemi mungesë, tash nuk ka askush. Barna ‘Nimedine’ ka ngritje të çmimit, mirëpo prej depove apo furnitorëve, jo prej barnatoreve”, kanë thënë nga kjo barnatore për KALLXO.com.

Sipas tyre, barna ‘Citerol’ që jepet si injeksion nuk ka rritje, ndërsa si infuzion varet prej depove që i sjellin.

“Sepse ka 2-3 prodhues që i furnizojnë barnatoret në Kosovë, kryesisht tash e ka sjellë një depo që e ka sjellë me çmimin më të lirë që ka ekzistu deri më tash”.

Një tjetër barnatore ka konfirmuar rritjen e barnës ‘Nimedine’ është edhe ‘Begolli Pharmacy’. Ata përmes telefonit kanë thënë se rritja e çmimit varet nga furnitori dhe nga transporti.

“Ka shumë artikuj që përdoren. Barna ‘Nimedine’ është shtrenjtu për 1 euro e gjysmë. Barna ‘Citerol’ nuk është shtrenjtu. Në barnatore nuk rriten asnjëherë çmimet dhe ky është problemi se të gjithë po iu kapen barnatoreve. Zakonisht prej furnitorëve për shkak të transportit, përshembull këto ditë për ‘Nimedine’  është dashur të bëhet transporti më i shpejtë, të paguhet ekstra, për shkak se Kosova ka mungesë, edhe është normale me u rrit çmimi”, kanë thënë nga kjo barnatore, përmes telefonit.

Në anën tjetër, në maj të vitit 2019, ish ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte nënshkruar një Udhëzim Administrativ, në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve të Kosovës, që të obligonte barnatoret që të kenë çmime të njëjta të barnave.

Ismaili kishte thënë se pritet që të ketë konkurrencë mes barnatoreve vetëm për shërbime, pas hyrjes në fuqi të këtij Udhëzimi.

“Me sistemin unik do të arrihet që pa marrë parasysh a do të blihen në fshatra apo qytete çmimi i barnave të jetë i njëjtë. Ne në Kosovë blejmë 10 milionë euro më shtrenjtë se qytetarët në Maqedonisë apo Shqipërisë”, kishte thënë Ismaili në konferencë për media.

Këtë Udhëzim Administrativ, ministr i tanishëm i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ishte shfuqizuar. Por 24 orë pasi e kishte shfuqizuar, Zemaj kishte anuluar këtë vendim, pas disa reagimeve nga komuniteti farmaceutik në Kosovë.

Në lidhje me rritjen potenciale të çmimit të barnave për trajtimin e COVID-19, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, për KALLXO.com ka thënë se çmimet e barnave janë një problem shumë i madh i farmacistëve, për të cilën Oda disa herë kishte ngritur si problem.

“Si rezultat i bllokimit të Udhëzimit për çmime vazhdon të mbetet i derregulluar sektori i farmacisë dhe që tregtarët e ndryshëm po vazhdojnë të keqpërdorin sistemin në llogari të farmacistëve dhe qytetarëve”.

Ai edhe ka ‘kritikuar’ ministrin Zemaj, duke thënë se prandaj ka ndryshime, jo vetëm për barnat për COVID-19.

“Kjo çështje mbetet si një nga goditjet më të mëdha që i janë bërë sektorit farmaceutik nga ministri Zemaj”, ka përfunduar Jakupi.

Sipas një hulumtimi të Radio Evropa e Lirë, të publikuar në shtator të këtij viti, qytetarët e Kosovës paguajnë 10 milionë euro në vit barna më shtrejntë sesa qytetarët e vendeve të rajonit.

Laramania e çmimeve të barnave nëpër barnatoret e Kosovës, sipas farmacistëve, ka ndikuar që qytetarët të mos kërkojnë cilësi në shërbim të blerjes së barnave, por çmime më të lira.