Pejë, pranon fajësinë për rrahje me boks të hekurit e thikë

Fati Qelaj është ballafaquar sot në Gjykatën e Pejës me akuzën për incidentin qe përfundoi me lëndim të rëndë në fytyrë të Uranik Gashit.

Qelaj pasi iu lexua aktakuza nga prokurori, e pranoi fajësinë për veprën penale.

“Në tërësi e pranoj fajësinë për veprën për të cilën akuzohem”, tha i akuzuari Qelaj.

Prokurori i rastit Haxhi Sinanaj me rastin e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit, i propozoi gjykatës që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të dëmtuarit Uranik Gashi, avokati Gzim Kollqaku, kërkoj nga Gjykata që me rastin e marrjes së vendimit për dënim të merret parasysh qe i mbrojturi i tij ka mbetur me pasoja të përhershme.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Fati Qelaj, avokati Sali Mekaj i propozoi Gjykatës një varg rrethanash lehtësuese si mosha e re e të akuzuarit, fakti qe nuk ka të kaluar kriminale, pranimi i fajësisë  si dhe bashkëpunimi i tij me prokurorinë dhe gjykatën.

Sipas aktakuzës Qelaj, më 9 shkurt 2019, në parkingun përball lokalit “Fox”, me boks hekuri me pjesë të shtuar thikë, godet të dëmtuarin Uranik Gashi në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar këtij të fundit lëndim të rëndë trupor me shëmtim të përhershëm.

Shpallja bëhet sot në ora 15:00.