Pejë - Policia gjeti arsenal të armëve në pronat e 59 vjeçarit

Policia në Rajonin e Pejës ka bërë mbrëmë një bastisje brenda një shtëpie të një personi të dyshuar.

Sipas njoftimit të policisë, bastisja është kryer me urdhër- kontroll të Gjykatës Themelore në Pejë, në shtëpinë e të dyshuarit M.P., 59 vjeçar.

Gjatë bastisjes policia ka njoftuar se ka gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjysmë automatike, një pushkë ajrore, një pistoletë me gaz, një armë e gjatë e dëmtuar, një tytë e armës automatike e dëmtuar, dy pjesë të armëve të gjata, dhe 14 fishekë.

I dyshuari për këtë rast, është arrestuar dhe është intervistuar nga hetuesit e stacionit policor në Pejë, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.