Foto: PK

Pejë, përleshje mes disa personave, 2 të arrestuar

Policia në Pejë është njoftuar sot për një përleshje fizike mes disa personave dhe menjëherë ka dërguar njësitë në vendin e ngjarjes.

Sipas dëshmitarëve fillimisht tre persona të dyshuar kishin rrahur viktimën, të cilit i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore, për çka është dërguar në spitalin rajonal për tretman mjekësor.

Policia njofton se të dyshuarit e këtij rasti kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe se pas shikimit të kamerave të lokalit nga Policia, njëri nga të dyshuarit vërehej se ka poseduar armë të zjarrit.

Pas një pune intensive nga hetuesit e stacionit policor në Pejë janë arrestuar dy nga të dyshuarit dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë bastisur banesat e personave tё dyshuar dhe te të dyshuarit janë gjetur dhe  konfiskuar: një armё pistoletë e tipit Stoeger cal. 9×19 mm,  dy karikatorë të së njëjtës armë, 18 fishekё të kalibrit 9×19 mm, dhe një armё pistoletë (shkrepsë).

Dy të dyshuarit pas intervistimit nga ana e hetuesve, me urdhër të prokurorit ndalohen për 48 orë, ndërsa njëri nga personat e dyshuar ende gjendet në arrati.