Pejë, nxënësve i’u kërkohen para për dëmet e shkatuara në shkollë

Nxënësit e shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, janë ankuar se drejtuesit e shkollës janë duke u kërkuar para për dëmet e shkaktuara në objektin e shkollës.

“Të gjithë nxënësve u kanë kërkuar që t’i japin nga 5 euro secili për demet që i bëjnë nxënësit nëpër shkolla, në qoftë se nuk e bëjmë, atëherë do të kemi probleme me diplomën”, ka thënë një nxënës pa dashur të identifikohet me emër.

Sipas Udhëzimit Administrativ 06/2014 për Kodin e Mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, nxënësit e kanë të ndaluar të dëmtojnë inventarin dhe pasurinë e institucionit.

KALLXO.com ka kontaktuar Arif Ademajn, drejtor të kësaj shkolle për të parë se si qëndron kjo çështje.

“Është një vendim i Këshillit të Prindërve të cilët e kanë vlerësuar dëmin të cilin e kanë bërë nxënësit. Kanë thyer dyer, kanë thyer banjo, të cilat nuk i mbulon buxheti i shkollës. Ende nuk ka nis implementimi, por është një propozim”, është shprehur Ademaj.

Në Udhëzimin Administrativ 02/2016 për aktivitete jashtëshkollore, në nenin 7 “Shërbime për bashkësinë”, pika dy thuhet se “Prindërit janë kontribuues të realizimit të aktivitetit përmes pjesëmarrjes në forma të ndryshme kontribuuese si, sigurim të materialeve didaktike, punë vullnetare për mirëmbajtjen e hapësirave të shkollës, vizitave në shkollë për aktivitete të ndryshme që organizohen nga nxënësit, mjete financiare etj”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorin e Arsimit në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj dhe i njëjti ka thënë se shkolla ka të drejtë të pranojë donacione.

“Nuk jam në dijeni për këtë rast, por shkollat e kanë të drejtën të grumbullojnë të holla”, ka thënë Avdimetaj.