Pejë, ish- zyrtari komunal akuzohet se mashtroi Gazmend Muhaxherin

Një vendim që ia njeh kompensimin prej 414 mijë eurove një kompanisë në Pejë, dyshohet se është marrë kundërligjshëm.

Lidhur me këtë po akuzohet Budak Shala, ish zyrtari i kabinetit të kryetarit të Pejës.

Sipas aktakuzës, Shala e ka vënë në lajthitje kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri për ta nënshkruar këtë vendim.

Fillimisht ai akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mirëpo në seancën e caktuar, prokuroria vendosi që ta rikualifikojë veprën në mashtrim.

“Bëj ndryshim të aktakuzës duke bërë precizimin e diapozitivit të aktakuzës dhe kualifikimin juridik të veprës penale qe ka të bëjë me të akuzuarin Budak Shala “ tha në seancën e kaluar prokurori  Ardian Hajdaraj.

Në seancën e sotme parashihej të dëgjohen dy dëshmitarë.

Dëshmitari Muharrem Shala sot para trupit gjykues tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Idriz Ibraj e ballafaqoi dëshmitarin më një vendim qe ai pretendonte se ishte nënshkruar nga ana e tij, por qe dëshmitari pas shikimit të vendimit e mohoi qe është përpiluar nga ana e tij.

Në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar edhe Durim Sheremeti, i cili po ashtu qëndroi pranë deklaratave të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

I akuzuari Shala në mbrojtjen e tij para trupit gjykues mohoi fajësinë për veprimet qe akuzohet dhe shtoi se qëndron pranë deklaratës se dhënë para ndryshimit të kualifikimit të dispozitivit të aktakuzës.

I pyetur nga prokurori Hajdaraj se “Si e shpjegon faktin qe me rastin e ekzaminimit te kompjuterit ka rezultuar ne emër tënd, si dhe faktin se janë gjete dy foldera me vendim në fjalë?

I akuzuari tha se  “Kompjuteri nuk është përdor vetëm nga ana ime por edhe nga më së paku 3 komisione dhe dy zyrtarë”.

Prokurori Hajdaraj tha se në baze të ekspertizës rezulton vetëm një përdorues dhe atë në emrin e të akuzuarit.

I akuzuari shtoi para trupit gjykues se, vendimi është përpiluar nga avokati Muharem Shala, dhe se atë e ka marre nga ana e tij, me kërkesë te kryetarit të Komunës për shkëputjes se kontratës  me operatorin me qëllim qe mos te rrjedhin obligimet financiare.

Gjersa për pjesën tjetër te procedurës përfshirë këtu protokollimin dhe ekspedimin i akuzuari tha se është përgjegjësi e administratës se komunës.

Sipas aktakuzës Budak Shala, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qellim të përfitimit të kundërligjshëm për vete i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës duke punuar në zyrën e  kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka përpiluar vendimin kinse të aprovuar nga bordi i drejtoreve të Komunës së Pejës, duke ia dërguar të dëmtuarit Gazmend Muhaxheri, të cilin e ka vënë në lajthitje.

Muhaxheri, atë vendim, sipas aktakuzës, e kishte nënshkruar pa e kontrolluar së bashku me vendimet tjera.

Me këtë vendim, kompanisë “Citroen” i njihej e drejta për kompensim në vlerë prej 414 mijë euro.

Trupi gjykues ka ndërprerë shqyrtimin për shkak të angazhimeve të kryetarit të trupit gjykues, për të vazhduar me datë 25 tetor 2019 në ora 14 me fjalën përfundimtare.