Gjykata Themelore e Pejës. Foto: Atdhe Mulla.
Pejë, Ish-Drejtori i Inspeksionit nuk vjen në gjykatë
Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Demë Dashit, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancë munguan i akuzuari dhe prokurori i rastit, Ali Uka.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës se Pejës, Tringa Zhuti.
Çeshtja penale kundër Dashit ishte në fazën e fjalës përfundimtare, por për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, kjo çështje pritet të fillojë rishtazi.
Kryetar i trupit gjykues ishte gjyqtari Sali Berisha i cili u arrestua nën dyshimin për korrupsion, ndërsa tani kryetare e trupit gjykues është gjyqtarja Lumturije Muhaxheri.
Demë Dashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016.
Prokuroria e akuzon Dashin se ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.
Sipas aktakuzës, ai u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm disa personave.
I akuzuari për lejimin e ndërtimeve pa leje në Pejë përballet me fjalët e dëshmitarit