Pejë, dy pacientë shërohen nga COVID-19, katër në oksigjeno-terapi

Spitali rajonal i Pejës aktualisht është duke trajtuar 10 pacientë me COVID-19, katër prej tyre janë duke u asistuar me oksigjeno – terapi.

Nga raporti ditor i spitalit bëhet e ditur se dy pacientë e kanë kaluar infeksionin me coronavirus dhe janë shpallur të shëruar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se dje në Komunën e Pejës janë regjistruar pesë raste të reja të infektimit me SARS- CoV-2, ndërsa në nivel vendi janë regjistruar 46 raste me COVID-19.

Numri i rasteve me coronavirus në Kosovë është dukshëm në ulje, përderisa ai i të shëruarve ka shënuar rritje, dje në nivel vendi janë shpallur të shëruar 62 persona.

Nga muaji mars e deri më tani në Kosovë janë shënuar 15 mijë e 620 raste me SARS- CoV- 2, prej tyre janë shëruar 13 mijë e 554 persona ndërsa kanë vdekur 625 persona të tjerë si pasojë e infeksionit me coronavirus.