Foto: Ilustrim

Pejë, drejtoresha nuk di për rrahjen mes nxënësve në oborrin e shkollës që drejton

Një nënë ka raportuar dje në Polici se fëmija i saj është rrahur në oborrin e shkollës nga disa bashkëmoshatarë të tij.

Sipas gruas, rasti ka ndodhur të enjten në oborrin e shkollës ku i ndjek mësimet djali i saj, por edhe fëmijët që e kanë sulmuar.

Në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje të këtij incidenti, ku shihen një grup fëmijësh duke e goditur një fëmijë tjetër, me shqelma dhe grushte, dhe përpjekjen e këtij të fundit për t’u mbrojtur dhe kundërpërgjigjur.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale fëmijët komentojnë rrahjen, duke përdorë fjalor të ndytë dhe duke u mburrur me rastin.

KALLXO.com merr vesh se incidenti ka ndodhur në oborrin e shkollës “7 Shtatori” në Vitomiricë të Pejës.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën e shkollës, Draga Babaçiq.

Ajo ka thënë se nuk ishte fare në dijeni për incidentin e ndodhur në shkollën që ajo udhëheq.

“Nuk jam e informuar për këtë çështje, ndoshta zëvendësdrejtori mund të ketë njohuri sepse ai merret me çështjët diciplinore të nxënësve”, deklaroi Babaçiq.

KALLXO.com ka tentuar të bisedojë edhe me zëvendësdrejtorin, por i njëjti nuk i është përgjigjur në telefon.

Rasti është cilësuar si sulm nga Policia e Pejës, dhe njësitet përkatëse policore janë duke e hetuar këtë rast.

“Ankuesja, me 21.12.2019 ka raportuar se, me datën e cekur në oborrin e Shkollës fillore, është sulmuar fizikisht i biri i saj (fëmijë), nga disa nxënës të së njëjtës shkollë. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor” thuhet në një përgjigje të Policise së Pejës për KALLXO.com.